Presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa doganore për importin nga dhjetëra partnerë tregtarë të SHBA-së, duke përfshirë Kanadanë, Brazilin, Indinë dhe Tajvanin, dhe u dha atyre një afat të ri prej shtatë ditësh për të arritur marrëveshje tregtare.
Maqedonia u përfshi në grupin më të madh të vendeve ndaj të cilave u vendosën taksat doganore prej 15%, së bashku me Islandën, Izraelin, Japoninë, Zelandën e Re, Norvegjinë, Korenë e Jugut, Turqinë, Venezuelën dhe vende të tjera.
Më keq kaluan Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat morën taksa doganore prej 35%, respektivisht 30%.
Trump i rriti taksat doganore për Kanadanë në 35% pasi kaloi afati për arritjen e marrëveshjes tregtare. Brazili mori 50%, India 25%, dhe Zvicra 39%.
Sipas urdhrit ekzekutiv të Trump-it, tarifat e reja doganore nga 10% deri në 41% për 69 vende do të fillojnë të zbatohen pas shtatë ditësh. Disa prej tyre arritën marrëveshje për uljen e tarifave, ndërsa të tjerët nuk patën mundësi të negociojnë me administratën Trump.
Mallrat nga të gjitha vendet e tjera që nuk janë përmendur në urdhrin ekzekutiv do të taksohen me 10%
Kina nuk u përball me tarifa të reja, pasi është në mes të negociatave tregtare me SHBA-në, ndërsa Trump më parë kishte nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian me tarifa prej 15%.
“Në disa raste, partnerët tregtarë, edhe pse kanë filluar negociata, kanë ofruar kushte që sipas mendimit tim nuk i adresojnë mjaftueshëm pabarazitë në marrëdhëniet tona tregtare, ose nuk kanë arritur të harmonizohen mjaftueshëm me SHBA-në në çështjet ekonomike dhe të sigurisë”, thuhet në urdhrin e Trump-it.
Më parë, norma e publikuar për produktet maqedonase në prill ishte 33%, që do të thotë se masa e re përfaqëson një ulje të konsiderueshme.

