Bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë pritur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe projektet infrastrukturore që lidhin dy shtetet.
Kasami tha se bisedimet janë përqendruar edhe te marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal.
“Gjithmonë kënaqësi ta mirëpresim kryeministrin e Republikës së Kosovës, mikun tonë dhe mikun e madh të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, z. Albin Kurti.
Bashkë me Izet Mexhitin, e njoftuam kryeministrin për zhvillimet aktuale politike, përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend dhe bashkëpunimin rajonal.
Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore që lidhin dy shtetet tona.
Nëntori na gjen bashkë, të fokusuar në punë dhe projekte të përbashkëta, në të mirën e qytetarëve tanë”, ka shkruar Bilall Kasami.

