Të jesh a të mos jesh Ali Ahmeti në vitin 2018 është ndoshta një dilemë e tepërt! Nga një rrugëtim i gjatë politik, pa asnjë humbje, është i vetmi lider politik i cili i gëzohet pozitës së “të pazëvendësueshmit”…Ku ka më mirë se të fillosh një mandat me premtime të përmbushura parazgjedhore:ligji për gjuhën, kryetar parlamenti shqiptar, marrëveshje për emrin, dyer të hapura të BE-së dhe NATO-s, dhe pa konkurrencë të mirëfilltë në skenën politike…
Nga Daut Dauti
Të jesh në pushtet më shumë se 15 vjet (nga viti 2002 pa ndërprerë) të fitosh zgjedhjet parlamentare dhe lokale, dhe të jesh në vitin 2018 faktori kyç i stabilitetit politik dhe “pjesë e zgjidhjes” së problemeve, kjo i ka ndodhur vetëm Bashkimit Demokratik për integrim dhe liderit të saj Ali Ahmeti. Jo vetëm që nuk ka parti tjetër maqedonase ose shqiptare në Maqedoni me këso historie suksesi, por nuk ka parti tjetër as në dy shtetet shqiptare në fqinjësi. Po e përmend partinë, e cila me tri shkronjat e saj, BDI, nuk do ta kishte lidhur emotivisht për vete asnjë shqiptar, porse kuptimin e plotë ato e marrin “në pako” me emrin e Ali Ahmetit.
Të jesh a të mos jesh Ali Ahmeti në vitin 2018 është ndoshta një dilemë e tepërt! Nga një rrugëtim i gjatë politik, pa asnjë humbje, është i vetmi lider politik i cili i gëzohet pozitës së “të pazëvendësueshmit”. Pra, nuk ka më mirë se të jesh… Ali Ahmeti. Nuk ka më mirë se të fillosh një mandat me premtime të përmbushura parazgjedhore. Kjo gjë i ndodhi BDI-së me zgjedhjen e Talat Xhaferit kryetar parlamenti(synim i njërit nga postet kyç në shtet) dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve. Për më tepër, në këtë ligj nga i cili u nxor maksimumi pa u prekur kushtetuta, do të rreshtohen edhe partitë kritikuese “për gjithçka”. Kjo ka rëndësi të theksohet, pasi në përplasjet e mëtutjeshme për ta zbritur BDI-në nga pushteti, të paktën në këtë pikë, nuk mund ta kritikojë askush. Të jesh lider i BDI-së është ajo ana e sipërfaqësore e kënaqësisë, ajo që të bën të jesh faktor kyç, jo vetëm në rëniet ose krijimin e qeverive, por, më shumë se kaq, në rolin që ke në proceset e brendshme dhe ato të pozicionimit ndërkombëtar. Pra, përskaj gjuhës, pas një viti qeverisje, u arrit edhe objektivi i shumë premtuar me vite, që Maqedonia të marrë ftesën për NATO si dhe të marrë datën për negociata me BE-në. Dikush mund të mos ia përshkruajë këtë meritë BDI-së, ta quajë krejt rastësi, por nuk mund të anashkalojë faktin se pikërisht në krye të këtij procesi gjendet një ministër i tij(Bujar Osmani). Sepse si për dështime, si për realizime në një qeveri, meritat ndahen. Roli vendimtar për të krijuar qeverinë “pa Gruevskin” gjithsesi pati ndikim në marrjen resorit të eurointegrimeve ku ministri i BDI-së u gjind mjaft mirë dhe në një frymë të re politike që solli Zaevi, u krijuan mundësitë që kontributin e vet ta japë edhe BDI-ja. Pra, edhe në planin ndërkombëtar BDI-ja realizon dy nga pikat e platformës parazgjedhore, pra të fillimit të datës së negociatave me BE-në(2019), dhe të ftesës për NATO. Ta shohësh një ish-komandant të një ushtrie çlirimtare shqiptare, me këto dy objektiva, në sytë e shqiptarëve nuk duket shumë e logjikshme. Unë kam qenë njëri ndër ata që me skepticizëm e kam shikuar këtë obsesion, si jo tipik për dikë që do ta lidhnin me agjenda të tjera, që vazhdojnë t’i kenë në kokë edhe më tutje disa ëndërrues të tjerë. Por, ai është realist: në Evropën e bashkuar, edhe shqiptarët do të jenë të bashkuar. Po me NATO-n, përse aq i zellshëm? A nuk do të ishte më e logjikshme që për këtë të luftonin partitë maqedonase, për t’i siguruar vendit të tyre një stabilitet në rajon kundrejt pretendimeve gjithfarëshe dhe në dështimin e tyre eventual…të kyçeshin alternativat tjera të interesit shekullor shqiptar? Kështu do të dukeshin rezonimet e puropatriotëve të privuar nga vizioni largpamës, të cilët duket se nuk duan ta kuptojnë Ali Ahmetin. Në të vërtetë, ai me aderimin e Maqedonisë në NATO nuk u ekzaltua si Sali Berisha patetik kur në një anglishte me theks tropojan në samitin e NATO-s në Bukuresht (2009)bërtiste “this is miracle of freedom”, por la të kuptojmë se interesi i shqiptarëve, kudo që jetojnë në Ballkan, është që të jenë nën ombrellën e NATO-s, diç që gjithnjë e më shumë po na bëhet e qartë nga erërat e reja gjeostrategjike që mund të reflektohen edhe në Ballkan. Por, duhet qenë realistë, se as BE, as NATO nuk do të ndodhnin po të mos arrihej marrëveshja me Greqinë për emrin, por edhe këtu, me atë arsyetimin “ne jemi pjesë e zgjidhjes së problemit”, në një intervistë në Alsat Ali Ahemti do të thotë se 10 vjet janë kyçur në proces. Në të vërtetë, faktori kyç ka qenë Zaevi, pa kurrfarë dyshimi, porse edhe në kohën e Gruevskit, vetë Ali Ahmeti, me ministra e deputetë të partisë së tij kishte qenë më 8 janar 2016 në një mision në Athinë për t’i përafruar qëndrimet diametralisht të kundërta të dy qeverive, ndërsa në aspektin parimor, kishte pasur mirëkuptim për ndjeshmërinë që ka çështja identitare për popullin maqedonas, ndaj dhe nuk kishte bërë ndonjë presion gjatë zvarritjes shumëvjeçare të kontestit, ndonëse kështu zvarriteshin edhe integrimet euroatlantike. Nuk duhet dyshuar se shqiptarët do ta kenë rolin kyç në referendumin për emrin, sepse gjithë çka u tha më sipër, ende është me kusht.
Kundërshtarët e tij, natyrisht nuk i përshkruajnë ndonjë meritë për të qenë, po veç dështime. Në të vërtetë, prirja për t’ia fshirë si me gomë gjithçka që ka bërë, është pjesë e ambientit tonë politik, porse është e gjatë lista e bërjeve që nga viti 2002, që kur është në pushtet, kur pat filluar implementimi i Marrëveshjes së Ohrit: decentralizimi i kundërshtuar nga VMRO-ja(shndërrimi i Shkupit në dygjuhësor, komuna shqiptare në kryeqytet(anise “qibrit-komuna” siç e quan opozita ), bashkimi i Kërçovës, Struga me shumicë shqiptare), themelimi i universiteti i Tetovës, avancimi i gjuhës shqipe(në tri përpjekje ligjore gjer te ky i fundit), rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione në rreth 20 për qind (edhe pse këto vazhdojnë t’i quajnë punësime partiake), rikthimi i shqiptarëve ortodoksë në skenë, e gjer te integrimi në NATO e BE. Në gjitha këto ka dhe vend për t’u diskutuar rreth dinamikës së Marrëveshjes së Ohrit, e sidomos “mëkati më i madh”, ai i bashkëqeverisjes me Nikolla Gruevskin. Mirëpo, nëse i kthehemi historisë së këtij bashkëpunimi, do të kujtojmë se ai nuk është i bazuar në “preferencat” ideologjike ose “emotive”, por në një pragmatizëm që e promovoi BDI-ja: parimi FITUESI ME FITUESIN. Jo pse fitues në kampin politik shqiptar dilte BDI-ja, por pse me nevojën për të siguruar shumicën e votave shqiptare në parlament për të siguruar “shumicën e Badenterit”, duhej patjetër të kyçet subjekti fitues i cili e garantonte këtë shumicë.(Vendimi më dramatik i Ali Ahmetit gjithsesi ka qenë momenti kur u desh ta shkelë këtë parim, për të bërë qeveri me partinë jo fituese të zgjedhjeve të vitit 2016, ndonëse shqiptarët, publiku i vendit dhe ai ndërkombëtar i duartrokitën kësaj “shkeljeje”…) Çështja se pastaj u gjetën gjuhë të përbashkët në shumë çështje, ishte rezultat i një pragmatizmi dypalësh(mbyllja e lëndëve të Hagës me ligj të votuar në parlament…), kuptohet, krahas dallimeve drastike për shumë çështje dhe obstruksioneve të ndërsjella të kohëpaskohshme(Kalaja e Shkupit, përpjekja për të sjellë ligjin për “branitellat” që e pengoi BDI-ja, përplasjet për shqiponjën ë Çair ose kryqin në Butel, mjetet buxhetore për Shkupin 2014, disa procese të dyshimta gjyqësore…). Hijet e së kaluarës do të mund ta përcjellin liderin e BDI-së edhe më tutje, sepse oponenca dhe mediat vazhdojnë t’ia zënë për të madhe që “e ka ndihmuar” aq gjatë mbetjen në pushtet të Gruevskit, ose madje dhe për pjesëmarrje në bëmat e tij.
Të jesh Ali Ahmeti, do të thotë edhe të kesh pak më shumë fat se të tjerët, sepse gëzon një mandat kur me përgjysmim të përfaqësimit, por, që për paradoks, me pozita më të forta se shumë herë më parë. Mirëpo, beteja për kampin votues shqiptar ishte vetëm një episod, ku kulaçin e ndanë jo vetëm parti të reja të dala nga partitë më të mëdha, por dhe edhe LSDM-ja, që ndërhyri në votat shqiptare, si një fenomen i cili ndëshkoi pikërisht BDI-në. Por, puna e fatit vazhdon ta përcjellë BDI-në, sepse kur pritej një goditje më e fortë nga partitë e reja, ato humbën rrugën! Ndonëse shumëkush e ka marrë për demagogji “sugjerimin” e Ali Ahmetit që opozita shqiptare të bashkohet që të mos humben vende deputetësh, në taborin tjetër vepruan dhe veprojnë në drejtim të kundërt, me përçarje të reja, gjë që i shkon gjithsesi përshtati BDI-së. Sepse, kur iu thotë Ali Ahmeti ata nuk bashkohen, por bashkohen kur shihet qartë se nuk bëhet për interesa madhore, por për interesa të ngushta, për më tepër, pa ndërhyrjen e dikujt tjetër, ato edhe më shumë përçahen. Edhe tash kur ato janë përfshirë në të njëjtën qeveri me BDI-në, edhe më tepër mund ta topitin tehun e kritikave. Vërtet fat.
Në fund, për ato zëra të rrallë që kanë kërkuar largimin e Ali Ahmetit nga posti i kryetarit të BDI-së. Fakti që Ali Ahmetin nuk e bën për pension politik është roli konstruktiv në proceset e fundit për tejkalimi krizash në vend(notuar edhe nga Daniel Tusk), por dhe pozicioni i pakontestueshëm në udhëheqjen e partisë, autoriteti dhe roli koheziv që luan dhe perspektiva e partisë me të në krye. Në perëndim kriter për largimin e ndonjë lideri është kur partia e tij humb në zgjedhje, e sidomos nëse humb zgjedhje pas zgjedhjesh, kur natyrshëm lideri duhet të marrë përgjegjësinë. Përse do të tërhiqej një fitues si Ali Ahmeti!? Në një postim ngapak patetik në Facebook, ithtarë të BDI-së kishin bërë një listë politikanësh të cilët i ka “zbritur” Ali Ahmeti nga pushteti, ndërkaq ai ende vazhdon të jetë. Çështja është se ata u larguan për “meritat” e veta, ndërkaq Ali Ahmeti mbeti për meritat e tij. Emri i tij është i lidhur ngushtë për BDI-në, saqë edhe optimistët më të mëdhenj dhe ndonjë pretendent që sot ende nuk duket, për ta zëvendësuar, as në ëndërr nuk duhet t’i shkojë ndërmend largimi i Ali Ahmetit, sepse me largimin e tij, BDI-ja mbetet pa kohezionin që e mban ai gjallë, pa idealin me të cilin lidhet emri i tij dhe natyrisht, bëhet pre e lehtë në skenën e hapur politike.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)