More

    Selmani : Kultura më duket si një fëmijë i braktisur nga prindërit

    Ju prezantojmë intervistë e krijuesit Ahmet Selmani dhënë gazetës kosovare Zëri.info.

     

    Cilën pyetje më shpesh ia bëni vetes?

    Pak a shumë si filozofi i paditur i Volterit kur pyet: Kush? Nga? Çfarë? Ç’do? Mbase kjo më tepër ngjan si një lloj habie filozofike kur ballafaqohem me realitetin tepër dinamik, kur gjërat e shumta më dalin vetvetiu përpara dhe patjetër duhet të ndërtoj një raport të qartë me to: ose t’i pranoj si të tilla ose t’i refuzoj. Por çështja thelbësore është se çfarë përmbajnë ato, ç’të mira sjellin etj. Unë për nga natyra jam tepër epikurian, dyshoj në gjithçka që shfaqet me formën e saj. Prandaj së pari e pyes veten, e më pastaj veproj sipas bindjes. Dhe sinqerisht po ju them se nuk më bie keq që bëj kështu.

    Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

    Mbase si udhëtimi i gjithsecilit ose i shumicës prej nesh: nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, për ta përligjur kuptimin e ekzistencës biologjike dhe fizike. Të them të drejtën, nuk e dua fare këtë lloj udhëtimi kaq të zakonshëm, por as nuk e urrej fare. Pra nuk më josh, por as nuk e përbuzë. Është një udhëtim skajshmërisht rutinor, ndoshta edhe instinktiv, madje edhe gjakftohtë e i pashpirt. Mund ta merrni me mend si duket udhëtimi i tillë kur çdo ditë i shihni të njëjtat gjëra, rrugën, trotuarin, shenjat, reklamat, objektet, pemët, lulet etj. Vetëm moti kur ndryshon, pra kur bie shi ose borë, e prish pakëz këtë monotoni, asgjë tjetër. Megjithatë, ne të gjithë varemi prej kësaj rutine të përditshme, sepse duhet të ekzistojmë.

    Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

    Pa asnjë dyshim, “Komedia hyjnore” e Dante Aligierit dhe “Don Kishoti” i Servantesit. Duhet thënë se pa këta dy libra ne do të kishim një zbrazëtirë të madhe, një zbrazëtirë e cila kushedi a do të plotësohej ndonjëherë. Prandaj mendoj se veprat në fjalë janë një fat i madh që janë krijuar, sepse na kanë dhënë shumë për të kuptuar qenien njerëzore. Thjesht këto janë shndërruar në metafora universale të cilat vazhdojnë të mbizotërojnë me qindra vjet, duke na mundësuar ta identifikojmë njeriun dhe realitetin në secilën kohë dhe në secilën rrethanë. Kush mund të thotë se në kohën tonë nuk gjejmë në çdo hap prototipa që përplasen në ferrin dantesk, ose shumë të tjerë që na shpijnë te Don Kishoti? Thjesht, janë vepra që shkundin ndërgjegjen tonë në secilën rrethanë.

    Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

    Ndihem shumë kokëfortë dhe krenar njëkohësisht; së pari, kjo ndodh për shkak se nuk u përulem trysnive e manipulimeve të pamëshirshme, së dyti, për shkak se krenohem që arrij ta ruaj unin tim me gjithë sakrificat marramendëse që bëj çdo ditë. Pothuajse të gjithë ankohen për krizën morale që e ka kapluar njerëzimin në epokën moderne, por të  paktë janë ata që nisen nga vetja për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhen. Nuk mund të ketë asgjë të shëndoshë pa moral. Ai para se të jetë kolektiv, është individual. Prandaj në radhë të parë unë përpiqem ta ruaj moralin tim si individ dhe si qytetar, e pastaj të gjykoj edhe për moralin e të tjerëve që e përbëjnë gjithë shoqërinë.

    Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

    Në mjediset tona kultura më duket si një fëmijë i braktisur nga prindërit duke qarë me dënesë në ndonjë skutë të margjinale. Ata që kanë pak ndjeshmëri shpirtërore, e shikojnë dhe ia hedhin ndonjë qindarkë sa për të mbijetuar ndonjë ditë. Për fat të keq mendjet e robëruara kulturën e konsiderojnë si çështje fakultative. Por ky është një paradoks i dhimbshëm  që duhet të tejkalohet. Kultura është shtylla kryesore për edukimin e individit. Si e tillë ajo sjell humanizëm dhe qytetërim, ndërton marrëdhënie të shëndosha ndërmjet njerëzve. Nuk mund ta marr me mend se si do të dukej njerëzimi pa kulturën.

    Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

    Në fakt secila kohë i ka të mirat dhe të këqijat e veta. Dikur gjërat ishin të kufizuara ose të censuruara për arsye ideologjike. Dhe kjo u tejkalua duke u thyer koncepti i ngurtë e totalitar. Megjithatë, liria e plotë që erdhi kaloi në anarki të pakontrolluar, duke u përfshirë shumë njerëz në këto rrjedha me shpresën se do të bëheshin shkrimtarë apo artistë. Kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite duke u përmbysur sistemi i vlerave. Prandaj mendoj se vetë koha do ta eliminojë çdo gjë të tepërt. Kështu edhe e nesërmja do të vijë duke i rikthyer gjërat në vendin e merituar, si ujërat e lumit pas vërshimeve duke u kulluar e duke mbetur të pastër.

    Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

    Mund ta veçoj “Mona Lizën” e Leonardo da Vinçit, poezinë “Korbi” të Edgar Allan Poes, këngën “Margjela” të Prenk Jakovës, të kënduar nga Elsa Lila dhe filmin “La vita e bella” të Roberto Benjinit , njofton zëri.info.

     

    Veprimtaria e tij

    Studimet për letërsi i kreu në Universitetin e Prishtinës. Një kohë punoi si gazetar i kulturës në gazetën “Flaka”, pastaj redaktor i kulturës, redaktor i botimeve dhe kryeredaktor. Merret me poezi, prozë, ese, kritikë, studime, publicistikë dhe përkthime. Ka botuar librat “Mur i gjallë” (poezi), “Abeja e akullt” (poezi), “Tregu i djallëzisë” (tregime), “Hija e kalit” (roman), “Bërja e shkretëtirës” (roman), “Poezia dhe individualiteti” (studim letrar), “Diskurs kritik” (artikuj, ese, studime), “Poezia e shprishur” (studim letrar), “Përkapja e nënpoetikës” (studim letrar), “Bashkëbiseduesit e mi” (intervista me shkrimtarë) etj.

    Ahmet Selmani është i lindur në vitin 1965 në f.Gllumovë të Dervenit.

    - Marketing -Ajsel Medica
    - Marketing -Bujar Osmanii
    - Marketing -Bujar Osmanii

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    - Marketing -Bujar Osmanii
    spot_img

    Të fundit

    Gjatë kontrollit policorë iu gjet e më pas iu sekuestrua lënda narkotike të rinjve nga Kumanova

    Me datë 19.04.2024 në ora 20:50 në Kumanovë, nga ana e punonjësve policorë të Sektorit për Trafikim të Paligjshëm...

    Gashi: Jemi në proces për ta bërë ndryshimin historik në Maqedoninë e Veriu

    Kryetari i Alternativës Afrim Gashi nga Berlini tha se ata janë në një proces për të bërë ndryshimin historik...

    Osmani për sloganin e VMRO-së: Çfarë fjalori është “Ta kthejmë Maqedoninë të bëhet e jotja”? A jemi në shekullin 21!?

    Osmani për sloganin e VMRO-së: Çfarë fjalori është “Ta kthejmë Maqedoninë të bëhet e jotja”? A jemi në shekullin...

    Osmani nga Saraji: Kemi institucionalizuar dinjitetin e popullit tonë, por misioni ende nuk ka mbaruar

    Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor i BDI-së, dega Saraj, kanë organizuar debat të hapur me kandidatin për President,...