
Prej nesër nuk do të ketë turma në fillim të muajit, nëpër barnatore, sepse ilaçe do të ketë pa limit deri në fund të muajit. Kështu paralajmërojnë nga Fondi shëndetësor. Ku prej me 1 tetor, pra që nesër hiqen kuotat e barërave në të gjitha barnatoret, në tërë territorin e vendit dhe do të vendoset sistem elektronik për blerjen e tyre. Qytetarët duhet të tregojnë dokument identifikimi te mjeku amë dhe gjatë blerjes në barnatore.
Kjo masë u aplikua muajin e kaluar nëpër vendet turistike, si Ohër, Resnje, Strugë, Gjevgjeli e Dojran. Sipas kryeministrit rezultatet kanë qenë të shkelqyeshme dhe të njëjtën presin edhe në gjithë vendet e tjera. Sipas Zaev, Fondi do të shpenzojë plus 100 deri në 300 milionë denarë për këtë reformë, të holla të cilat do t’i sigurojë Qeveria.
Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se kjo është vetëm një pjesë e reformave për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend.
Nëpër barnatore do të vendosen lexues të të dhënave të letërnjoftimeve, me qëllim vërtetimin e legjitmitetit të dokumenteve. Me këtë do të kontrollohen keqpërdorimet dhe mbahet evidencë për pacientin sa barëra ka marrë. Nga fondi sigurojnë qytetarët se nuk do të ketë rrezik për keqpërdorim të të dhënave. Për fëmijët, personat e palëvizshëm dhe të sëmurët, mund tua blejnë ilaçet persona të tjerë. Ndërkohë pas dy muajve do të ketë receta vetëm në formë elektronike. Të gjitha këto risi në total, pritet të implementohen për disa muaj. Kjo masë erdhi si rezultat i keqpërdorimeve të farmacive për të cilët informoi kryeministri para pak kohësh.

