Sllagja Haxhibuliq, nëna e 25-vjeçarit Alen Çirikoviq, i cili ndërroi jetë pasi për 12 ditë ishte në koma, bëri apel publik për drejtësi përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë e 4NEWS.mk. Ajo pohon se institucionet heshtin dhe askush nuk po reagon ndaj vdekjes së të birit të saj të vetëm, raportoi 4NEWS.mk.
“Thuajeni kush është ai që ma vrau djalin e vetëm, Alen Çirikoviq. Askush nuk shkruan, as nuk prononcohet. Unë jam nënë. Nëse nuk ka drejtësi, unë do të gjykoj vetë,” shkroi ajo në mesazhin e saj.
Haxhibuliq shpjegon se tragjedia ndodhi më 9 maj, kur djali i saj ra në koma. Pas 12 ditësh, më 21 maj, familja e varrosi, por sipas saj, rasti nuk mori aspak vëmendje.
“Për të gjithë ngritët zë, po unë çfarë jam? Gjithçka do ta jap për djalin tim të vetëm, ndërsa ai që ecën i lirë. Për Frosinën dhe Jugosllavin e ngritët gjithë Shkupin në këmbë, unë do ta ngre gjithë Shkupin,” shtoi ajo.
Në mesazh, nëna thekson se beson te mediat, por se ky është “herën e fundit” që u drejtohet. “Unë do të marr drejtësinë vetë, sepse të gjithë heshtin. S’kam çfarë të humbas, e kam humbur më të dashurin tim,” e përfundon apelin e saj.

