More

    Kosova përkujton masakrën e Reçakut të vitit 1999

    Në ditën e sotme të vitit 1999, në fshatin Reçak, në komunën e Shtimes, rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe vranë 45 persona civil shqiptarë. Njëzetekatër vjet më pas, shumë qytetarë u mblodhën në këtë fshat në nderim të të vrarëve dhe në mbështetje të familjarëve të tyre, të cilët sot e asaj dite kërkojnë drejtësi.

    Vëllai im këtu ka ra dëshmor me 15 janar, është babë i dy fëmijëve, djalin e ka lënë katër vjet e vajzën dy vjet e gjysmë. Shumë dhimbje e madhe që nuk ka ende asnjë dënim, ne ende nuk e pamë ndonjë kriminel që u dënua për këta, kanë vrarë njerëz të pafajshëm nëpër oborre. Ndoshta, shpresoj që drejtësia do të dalë në dritë një ditë”, thotë Rabije Halili, motra e Skënder Halilit, i vrarë nga forcat serbe.

    Këtu po e shihni edhe vet çfarë kanë bërë, njerëz të pafajshëm, fëmijë e pleq nuk kanë kursyer çfarë kanë gjetur, tash po e mohojnë atë gjoja se nuk e kemi bërë”, tha Azem Bungu i cili kishte ardhur nga një fshat i afërt për të mbështetur familjarët e të rënëve të masakrës se Reçakut.

    Ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili 24 vjet më parë e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit, tha sot në një ceremoni përkujtimore se autoritetet serbe asokohe kishin nisur menjëherë përpjekjet për të mohuar atë që kishte ndodhur.

    Ata nisën të bëjnë gjëra që menduan se ishin shumë të zgjuara, për t’u siguruar se bota ose nuk do të mësonte për Reçakun ose do të pranonte variantin e tyre të rrëfimit. Falë Zotit kjo nuk ndodhi, shtypi botëror erdhi këtu dhe vendosi në ballinat e gazetave botërore pamjet e asaj çfarë po ndodhte vërtetë në Kosovë. Falë Zotit dhe njerëzve si Bill Clinton, Madeleine Albright, Toni Blair, Wesley Clark, NATO u vendos se duhej të ndërmerrej diçka dhe kjo solli fushatën e NATO-s”, tha ai.

    Masakra e Reçakut në vitin 1999, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s.

    Autoritetet serbe përfshirë edhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, shpesh e kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po vazhdon përpjekjet për të mohuar rolin e saj në këtë masakër.

    Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme si ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativat mohuese ndaj saj, sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut e deri sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit serb në realizimin e masakrës së Reçakut. Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij”, tha kryeministri Kurti.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vënë theksin te shtimi i përpjekjeve për vënien e drejtësisë në vend mbi masakrën e Reçakut tha se mungesa e bashkëpunimit të Serbisë për ndriçimin e fatit të të pagjeturve dëshmon se ajo asnjëherë nuk ka ndryshuar mendësi.

    Ata trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit prej nesh duke kërkuar që të bëjmë më shumë për drejtësi për ta por edhe për gjetjen e mbi një mijë e 600 të dashurve tanë të zhdukur me dhunë, të cilët Serbia e ministrit të atëhershëm të informimit e presidentit të sotshëm, i mban ende peng”, tha ajo.

    Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 24 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave. Këtë vit Kosova mbush pesëmbëdhjetë vjet të shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila vazhdon të mohojë atë çfarë kishte ndodhur në Reçak dhe gjithandej Kosovës.

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    Të fundit

    Çmime të reja të derivateve të naftës

    Komisioni Rregullator për Energjetikë solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve...

    Zhvillimet në BDI, Ahmeti: Është një grip, le të përdorin aspirina!

    Në suaza të takimeve “Bashkë për Europë” të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) me qytetarët dhe bazën...

    Sali jep lajmin e shumëpritur: Rrisim rrogat në shëndetësi

    Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, tregoi ekskluzivisht sonte në TV21 se së shpejti do të merret vendimi për rritjen...

    Moti sot në Maqedoninë e Veriut

    Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe reshje lokale të borës. Do të fryjë një...
    WordPress Ads