Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë”, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë. Do të thotë, alternativat janë pothuajse fare inekzistente që Ramush Haradinaj të mos jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme’, ka deklaruar Veseli.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Veseli, cila do të jetë formula e krijimit të koalicionit qeverisës, marrë parasysh se jeni pjesë e një koalicioni qeverisës që ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, por që nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë?
Kadri Veseli: Formula është vota e qytetarëve tanë. Në zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni i prirë nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar qartë, ka fituar bindshëm. Në të njëjtën kohë, demokracia është respektim i procedurave, ajo të cilën e kishim edhe në vitin 2014, do të thosha. Kjo është edhe një arsye më shumë se vendit nuk i nevojitet që të ketë bllokada, vendit nuk i nevojitet që të ketë mllef, vendit nuk i nevojitet që të ketë konflikte mes vete. Duhet të bashkëpunojmë për hir të interesave të qytetarëve.
Besoj shumë se me certifikimin e rezultateve, po presim kah data 25 qershor, që të kemi menjëherë implementimin e rezultatit zgjedhor, i cili është i 11 qershorit, ku koalicioni fitues është ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë Nisma si dhe partnerët e tjerë të koalicionit.
Radio Evropa e Lirë: Tek cilat parti politike, tek cili bllok politik do t’i kërkoni aleatët e ardhshëm për koalicionin pas-zgjedhor që do të formojë Qeverinë e ardhshme. Keni në dispozicion LDK-në me partitë aleate dhe Vetëvendosjen.
Kadri Veseli: Ideale do të jetë, në rend të parë që të respektohen procedurat, të respektohet vullneti i qytetarëve. Të gjitha partitë, kur kemi dalë në zgjedhjet e 11 qershorit, kjo ka qenë arsyeja pse kemi shkuar në koalicione.