Në një atmosferë të tensionuar politike, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të mblidhen të mërkurën, më 11 dhjetor, për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e disa dispozitave të Ligjit për gjuhët, i cili u miratua në vitin 2018 dhe hyri në fuqi një vit më vonë.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mxhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, siguroi gjatë një konference për shtyp të martën se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.
“Ne si VLEN thamë se ligji nuk do të preket, Gjykata Kushtetuese e vërtetoi këtë. Ka dalë dokumenti që nuk preket as Ligji për gjuhët, po as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Të njëjtën e tha edhe kryeminsitri, si dhe kryetarja e shtetit”, tha Mexhiti.
Më herët, gjatë javës së kaluar, Mexhiti njoftoi se gjyqtarët shqiptarë në gjykatën Kushtetuese do ta bojkotonin seancën e 11 dhjetorit, me çka pohoi se “vendimi nuk mund të ketë legjitimitet”.
Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
SHIKONI EDHE:
Shkup: Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë Ligjin për gjuhët më 11 dhjetor
“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, tha Mexhiti më gjashtë dhjetor.
Për cilin dokument bëhet fjalë?
Sipas një dokumenti të publikuar së fundmi, i përgatitur nga një gjyqtar kushtetues, thuhet se “Gjykata Kushtetuese nuk duhet të iniciojë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”.
Dokumenti thekson se më 11 dhjetor nuk do të fillojë procedura për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjit, pasi ai është i mbështetur në Kushtetutën e vendit.
“Përmbajtja e Ligjit të kontestuar për përdorimin e gjuhëve në tërësi ka bazën dhe arsyetimin e vet kushtetues në Amendamentin V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prandaj, besojmë se kushtetutshmëria e tij nuk mund të vihet në pikëpyetje as me këtë amendament, as me nenin 51 paragrafët 1 dhe 2, nenin 8 paragrafi 1, siç thuhet në nismë”, thuhet në dokument.
Një shenjë në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe tregon rrugën drejt sheshit të Shkupit, Maqedoni e Veriut.
SHIKONI EDHE:
Shkup: Diskutohet për Ligjin për gjuhët, në prag të vendimit të Kushtetueses
Megjithatë, dokumenti sugjeron që të iniciohet procedura për disa formulime të përgjithshme dhe dy dispozita specifike të ligjit, që lidhen me përdorimin e simboleve në monedha dhe proceset gjyqësore. Kjo nënkupton se seanca e së mërkurës nuk do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e të gjithë ligjit, por vetëm disa dispozita.
Gjykata Kushtetuese, nga ana e saj, ka njoftuar se nuk do të komentojë shpërndarjet mediatike, besueshmërinë e dokumenteve të publikuar, si dhe deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar.
Ligji i Gjuhëve
Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene.
Ky ligj, hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë.
Si presidenti Ivanov, edhe ata e cilësuan ligjin si antikushtetues.
Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.
Mural me motive shqiptare në Shkup – Fotografi ilustruese nga arkivi.
SHIKONI EDHE:
Shkup: Fronti Evropian shpall nismën ‘Roja e Gjuhës’
Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.
Pas miratimit, ligjiu kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre, edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të realizonte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet.
Megjithëse kjo parti kontestonte thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij.
Tani kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vjen nga kjo parti, ka theksuar se “nuk do të ndodhë asgjë” dhe ka siguruar se situata është “nën kontroll”.
“I lus bashkëqytetarët shqiptarë, maqedonas të gjithë, të jenë të qetë, e gjithë puna është nën kontroll, gjithçka është nën kontroll të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi të martën Mickoski.
Më herët, ai kishte thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy a tri dispozita”.
Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të cilët po bëjnë “roje” para Gjykatës Kushtetuese, mendojnë të kundërtën.
BDI-ja ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë i njëjti mund të bëhet i pazbatueshëm.
Një shenjë në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe tregon rrugën drejt sheshit të Shkupit, Maqedoni e Veriut.
SHIKONI EDHE:
Shkup: Diskutohet për Ligjin për gjuhët, në prag të vendimit të Kushtetueses
Deputeti Arbër Ademi nga BDI-ja të martën tha se “18 dispozita janë në rrezik”.
“Një presje po të ndryshojë pavarsisht kontekstit mund ta zhvlerësoi në tërësi ligjin e lërë më 18 dispozita. Lexojeni Neni 23 paragrafi 5 tentohet të abrogohet është propozim pët tu abrogu, atëherë asnjë institucion nuk do ta zbatojnë ligjin për gjuhën shqipe”, tha Arbër Ademi gjatë një debati në TV21