Një numër i madh palestinezësh po largohen nga qyteti i Gazës pasi ushtria izraelite ka nisur fazat e para të ofensivës tokësore të planifikuar, thonë zyrtarët e qytetit.
Trupat izraelite kanë vendosur një bazë në periferi të qytetit, i cili është shtëpi e më shumë se një milion palestinezëve, pas ditësh të tëra bombardimesh intensive dhe zjarri artilerie.
Kjo e shtyu sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të përsërisë thirrjet për një armëpushim urgjent, për të shmangur vdekjet dhe shkatërrimet që sulmi do të sillte në mënyrë të pashmangshme.
Izraeli, nga ana tjetër, ka sinjalizuar se po vazhdon me planin e tij për të pushtuar të gjithë qytetin e Gazës, pavarësisht kritikave ndërkombëtare.
Një zëdhënës i ushtrisë deklaroi se trupat tashmë po veprojnë në zonat Zejtun dhe Xhabalia për të vendosur themelet e ofensivës, e cila u miratua të martën nga ministri i mbrojtjes Izrael Kac dhe e cila do t’i paraqitet kabinetit të sigurisë më vonë gjatë kësaj jave.
Rreth 60.000 rezervistë janë thirrur për fillimin e shtatorit, për të siguruar personel aktiv për operacionin.
Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se po shkurton afatet kohore për marrjen nën kontroll të asaj që ai e përshkroi si bastionet e fundit terroriste në Gaza.
Në një deklaratë, Hamasi e akuzoi liderin izraelit për vazhdimin e një lufte brutale kundër civilëve të pafajshëm në Gaza dhe kritikoi atë që e quajti mosrespektim i tij ndaj propozimit të ri për armëpushim nga ndërmjetësuesit rajonalë. Izraeli ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht planit.
Pritet që qindra mijëra palestinezë në Gaza të marrin urdhër për evakuim dhe të drejtohen drejt strehimoreve në jug të Gazës, ndërkohë që përgatitjet për planin e pushtimit izraelit janë në zhvillim.
Shumë nga aleatët e Izraelit e kanë dënuar planin e tij, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të mërkurën se kjo mund të çojë vetëm në katastrofë për të dy popujt dhe rrezikon ta zhysë të gjithë rajonin në një cikël lufte të përhershme.
Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) deklaroi se zhvendosjet e mëtejshme dhe përshkallëzimi i armiqësive rrezikojnë të përkeqësojnë edhe më tej situatën tashmë katastrofale për popullsinë 2,1 milionëshe të Gazës.
Qeveria izraelite shpalli synimin e saj për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës pasi muajin e kaluar dështuan bisedimet indirekte me Hamasin për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve.

