Në njërën dorë mban flamurin e popullit të tij, në tjetrën armën e betejave dhjetëvjeçare: shigjetën. Është fotografia e realizuar më 22 tetor 2018, nga fotografi i agjencisë turke “Anadolu”, Mustafa Hassouna, që portretizon një të ri 20-vjeçar nga Gaza, A’ed Abu Amro. Titulli origjinal i fotos është “Përpjekja e 13-të, për të thyer bllokadën e Gazës nga deti” dhe është shkrepur në Beit Lahiya, në veri të Gazës.
Është një imazh i fuqishëm dhe pothuajse ikonik, sepse në mënyrë artistike sjell ndër mend një pikturë që përfaqëson një pikë kthese në historinë franceze dhe atë botërore: “Liria që udhëheq popullin” e Eugène Delacroix-it.
Abu Amro jeton në lagjen al-Zaytoun, të qytetit të Gazës. Ai proteston çdo të premte dhe të hënë së bashku me miqtë e tij. “Jam i habitur që fotografia ime është bërë virale. Nuk shkoj në protesta, për t’u fotografuar, por kjo më jep kurajën të vazhdoj. Flamuri është i njëjti që kam mbajtur, në çdo protestë ku kam marrë pjesë. Për mua, ka rëndësi. Ne kërkojmë të drejtën, për t’u kthyer në tokat tona. Protestojmë për dinjitetin tonë dhe për dinjitetin e brezit të ardhshëm”.

