Më katër tetor të vitit 2018 në një rrugë të Francës u gjetë pa shenja jete, kosovari 33-vjeçar, Artan Sekiraqa. Ai u vra në mënyrë mizore nga gruaja e tij, Suzana duke u goditur me sëpatë më shumë se dhjetë herë. E dyshuara kishte ikur nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar më pas në Kosovë. Gjykimi për këtë rast të rëndë është mbajtur në Kosovë. Sot organet e hetuesisë vendore i dhanë 25 vite burgim Suzanës për veprën penale ‘vrasje e rëndë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda sot e ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarës S.Z-S për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
E akuzuara S.Z-S është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjet; në këtë dënim të akuzuares i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 05.10.2018 e tutje.
E akuzuara S.Z-S është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 21.09.2018, rreth orës 08.30 në banesën e saj 39 A Grande Rue në Dole – Francë, ku ishin edhe duke jetuar, me dashje e kishte privuar nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e saj tani të ndjerin A.S duke e goditur me mjet të mprehtë – sëpatë të paktën 11 herë në pjesën e qafës e që këto veprime të dhunshme kanë shkaktuar prerjen e kokës, ku kishte mbetur e ngjitur me trungun vetëm me një pjesë të hollë të lëkurës.
Me aktvendim të veçantë të akuzuarës S.Z-S. i vazhdohet paraburgimi derisa aktgjykimi të marr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

