Artan Muça nga lagjja e Shuto Orizares të shtunën në mëngjes u rrah nga policia, edhe pse nuk ishte pjesë e aksionit që po zhvillonte policia. Ai në orën 5:45 dëgjoi britma të mëdha dhe doli jashtë për të parë se çfarë po ndodhte. Për një moment mendoi se kishte pasur një aksident.
„Mendova se kishte ndodhur një aksident apo se ndoshta ndonjë fqinj ishte në telashe. Dola shpejt. Nëna ime doli pas meje“, thotë ai.
Por ai pa një numër të madh policësh dhe e kuptoi se bëhej fjalë për një aksion policor, por policia e goditi menjëherë pa e pyetur. Për këtë dëshmon edhe nëna e tij.
„Nuk e dinim se bëhej fjalë për polici. Kur pashë grupin, mendova se ishin komitë dhe jo policë. Dy prej tyre kishin maska, ndërsa njëri jo”, thotë nëna e tij.
Policët i thanë të shtrihej dhe të ngrinte duar, tregon ai.
„Kur më thanë të shtrihem, i ngrita duar lart dhe u thashë se nuk kam asgjë. Nuk e dija kush ishin, mendova se ndoshta dikush kishte pasur një përleshje ose kishte ndodhur diçka e ngjashme.“
Kur e kishin rrahur e kishin thënë të shkojë në shtëpi. Por i gjithë trupi i tij ishte mbuluar me gjak dhe nuk kishte balancë, prandaj thirrën edhe ndihmën e shpejtë.
„Nuk e di çfarë të bëj, ku të ankohem kur policia që duhet të na mbrojë sillet kështu“, thotë nëna e tij, e cila ishte dëshmitare e të gjithë ngjarjes.
MPB ende nuk ka dhënë një përgjigje për këtë ngjarje, edhe pse djali ka denoncuar policët në stacionin policor në Butel.