Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Qytetit të Nju-Jorkut për njohjen e 28 Nëntorit si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, që do të shënohet çdo vit.
Rama ka bërë të ditur se rezoluta për këtë njohje është miratuar më 19 nëntor të këtij viti.
Ai ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar në Nju-Jork, duke theksuar se për breza të tërë shqiptarët kanë ruajtur traditat, gjuhën dhe lidhjen me vendlindjen.
Nga Prishtina, Rama u ka shprehur mirënjohje shqiptarëve të Nju-Jorkut, duke thënë se përmes punës dhe përkushtimit të tyre kanë fituar respektin e qytetit.
Në fund, ai ka uruar 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.

