Medreseja Isa Beu, si dhe Fakulteti i Shkencave Islame në RM, si dy institucione shkencore dhe edukativo-arsimore që funksionojnë në vendin tonë, e që janë të dëshmuara jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan, Evropë e më gjerë për kontributin e dhënë në shërbim dhe mbrojtje të Islamit, janë themeluar dhe funksionojnë pikërisht duke i falënderuar institucionit të zeqatit, sadekatul-fitrit dhe ndihmave të tjera vullnetare, të cilat besimtarët tanë i dhurojnë me paracaktim për këto institucione
Shkruan: Muzemil Osmani
Me shprehjen fi sebilil-lahi, sipas konsensusit të fukahave islamë nënkuptojmë luftëtarët të cilët luftojnë për ruajtjen dhe ngritjen e vlerave islame. Nga kjo nënkuptohet se me paracaktimin e zeqatit bëhej përgatitja dhe mirëmbajtja e ushtrisë islame, atëherë kur shteti nuk kishte burime të tjera të përcaktuara ligjërisht për funksionimin e forcave mbrojtëse, ndërsa sot çdo shtet në botë e ka të përcaktuar dhe të siguruar buxhetin e forcave të armatosura. Në anën tjetër, nisur nga fakti se luftërat në kohën bashkëkohore nuk janë më vetëm luftëra klasike, respektivisht luftëra me vrasje fizike, por kemi edhe luftën psikologjike, morale, të cilat zhvillohen me metoda të sofistikuara, atëherë dijetarët islamë bashkëkohorë janë të mendimit se pasuria e zeqatit duhet të destinohet në të gjitha ato vende dhe institucione të cilat janë garanci e zhvillimit, e ruajtjes dhe e ngritjes së Islamit institucional te myslimanët, për një jetë sa më progresive. Përderisa lufta e armatosur fizike kërkon ushtarë të armatosur, lufta e ftohtë psikologjike kërkon kuadro të mobilizuara të cilat do të jenë të gatshme që të sfidojnë të gjitha pengesat që e pengojnë zhvillimin e Islamit dhe të myslimanëve. S’do mend se për t`i poseduar këto kuadro dhe për të qenë të gatshëm t`u përgjigjemi nevojave të kohës, detyrimisht duhet të themelojmë institucione të larta shkencore dhe stabile për prodhimin e kuadrove të nevojshme.
Për këtë arsye, për myslimanët bashkëkohorë, përfshi edhe neve në vendin tonë, imperativ islam dhe kohor janë themelimi, ngritja dhe mirëmbajtja e këtyre institucioneve dhe shkollave me karakter fetar-shkencor dhe me karakter edukativo-arsimor, ngritjen e institucioneve organizative për çështje islame, ndarjen e bursave për arsimim, themelimin e enteve, akademive dhe institucioneve tjera siç janë shtypi, kanalet televizive, rrjetet sociale për predikimin e Islamit dhe mjeteve të tjera të sofistikuara bashkëkohore. Veprohet dhe gjykohet kështu ngase vetëm përmes kësaj forme mund të përballohen dhe të hidhen poshtë të gjitha tendencat e errëta që po zhvillohen sot për etiketimin, njollosjen dhe minimizimin e Islamit dhe myslimanëve. Andaj, edhe funksionimi i institucioneve tona edukativo-arsimore islame që u ngritën me kontributet e myslimanëve tanë, siç është Medreseja Isa Beu, me qendër në Shkup dhe me degët e saj të shtrira në territorin e R. Maqedonisë, si dhe Fakulteti i Shkencave Islame në RM, është pikërisht në shërbim të këtij qëllimi.
Këto dy institucione shkencore dhe edukativo-arsimore që funksionojnë në vendin tonë, e që janë të dëshmuara jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan, Evropë dhe më gjerë për kontributin e dhënë në shërbim dhe mbrojtje të Islamit, janë themeluar dhe funksionojnë pikërisht duke i falënderuar institucionit të zeqatit, sadekatul-fitrit dhe ndihmave të tjera vullnetare që besimtarët tanë i dhurojnë duke ua dedikuar këtyre institucioneve. Andaj, duke marrë parasysh këto shpjegime që na i bënë dijetarët eminentë islamë bashkëkohorë mbi ajetin kuranor që e përcakton destinimin e zeqatit dhe sadekatul-fitrit kategorisë “në rrugën e Allahut”, mendojmë se dhënia e zeqatit në këtë kategori është nevojë permanente, me prioritet të veçantë për besimtarët tanë, veçanërisht në kohën që po jetojmë, sepse interpretimi ndryshe jo vetëm që nuk është në frymën e parimeve islame, por do të ishte edhe një gabim historik i pafalshëm.
Nëse me vëmendje e kundrojmë ajetin kuranor që i përcakton kategoritë e destinimit të zeqatit, me lehtësi mund të vërejmë se institucioni i zeqatit nuk është çështje individuale, por është çështje shoqërore dhe institucionale. Nëse destinimin e zeqatit e trajtojmë si e drejtë individuale, atëherë çfarë vlere do të kishte urdhri i Allahut (xh. sh.)që i dha Pejgamberit (a.s.) për grumbullimin e zeqatit!? Apo, çfarë vlere do të kishte kategoria e destinimit të zeqatit “grumbulluesit e zeqatit”. Kjo nënkupton qartë se grumbullimi i zeqatit, regjistrimi i tij, administrimi etj., nuk është thjesht dëshirë, por është detyrim islam. Kështu e kishte kuptuar edhe Ebu Bekri (r.a.) kur u shpalli luftë fizike atyre që refuzuan të japin zeqatin dhe u shpreh se do t’i luftojë ata edhe nëse pengojnë qoftë edhe një kërpesh të devesë. Këtë mendim dhe praktikë të Ebu Bekrit e përkrahën të gjithë sahabët, pa përjashtim.
Prandaj, ky gjykim i Ebu Bekrit jep të kuptojmë disa çështje shumë të rëndësishme për ne, e në mesin e tyre janë:
Grumbullimi i zeqatit në Bejtul Mal (arkën shtetërore) – është detyrim i myslimanëve;
fshehja e zeqatit dhe mosdhënia e tij- shkakton veprim penal, që pas vete bart përgjegjësi penale.
Meqë kategoritë e destinimit të zeqatit i ka përcaktuar Allahu fuqiplotë, e drejta e interpretimit të gjendjes dhe përcaktimit të prioritetit se ku duhet destinuar zeqati është e udhëheqjes islame dhe e institucioneve të tyre, dhe jo e individëve.
Këto parime të përgjithshme islame i ngarkojnë institucionet e Bashkësisë Islame me përgjegjësi juridike dhe islame si para myslimanëve, ashtu edhe para Allahut fuqiplotë që fillimisht të japin shpjegim dhe interpretime të sakta shkencore rreth këtij obligimi islam, e më pas edhe të menaxhojnë dhe të administrojnë me këtë përgjegjësi të ngarkuar. Përmes këtij veprimi, detyrimisht duhet t’u ndalen rrugët disa shoqatave, organizatave dhe grupeve të ndryshme të cilat, kinse në emër të humanizmit dhe Islamit, i japin vetes të drejtën që të grumbullojnë zeqatin dhe sadekatul-fitrin dhe ato të përfundojnë atje ku nuk dihet. Prandaj, e kemi obligim islam që maksimalisht të përkujdesemi për obligimet tona që i kryejmë.
Prandaj, jo vetëm që shpresojmë, por jemi të bindur se vetëdija e myslimanëve tanë do të jetë në nivelin që e kërkon Islami dhe me pasurinë e tyre obligative do të jenë në shërbim të Islamit dhe të myslimanëve në përgjithësi, duke mos i lënë kohës hapësirë që këto institucione të amortizohen në funksionim për shkak të mosdhënies së zeqatit dhe sadekatul-fitrit.