
Numri i njerëzve të vdekur nga shpërthimi i një koronavirusi në Kinë arriti në 361, pasi Komisioni Kombëtar i Shëndetit në provincën Hubei raportoi të hënën për 57 viktima të reja.
Në total janë mbi 17,200 njerëz të prekur nga kjo sëmundje në gjithë Kinën, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Hubei, vendi ku sëmundja është raportuar për herë të parë në muajin dhjetor, është izoluar pothuajse tërësisht: gati të gjitha rrugët dhe transportet publike janë mbyllur.
Të dielën, viktima e parë nga koronavirusi jashtë Kinës është raportuar në Filipine.
Rusia, Britania dhe Suedia janë në mesin e vendeve të fundit që i kanë konfirmuar rastet e para me këtë koronavirus.
Koronavirusi në Kinë, që është një familje e virueseve, është identifikuar si 2019-nCOV.
Ai shkakton ethe, kollitje, gulçimë dhe vështirësi në frymëmarrje.
Në raste më të rënda, mund të çojë në pneumoni, dështim të veshkave e madje edhe vdekje.
Ai besohet se ka dalë nga një treg i frutave të detit në provincën Hubei të Kinës. Tash për tash nuk ka as kurë, as vaksinë për të.
/Derveni.info

