Prej datës 14 deri më 20 qershor, janë raportuar gjithsej 41 raste të reja me pertusis, të njohur si kollë e mirë. Shumica e rasteve janë raportuar në Shkup – 31, shtatë raste janë evidentuar në Kumanova, dy në Tetovë dhe një rast në Makedonski Brod. Mosha e pacientëve sillet nga një muaj deri në 81 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha deri në katër vjeç.
Nga rastet e reja, shtatë raste ose 17.1 për qind janë shtruar në spital, informuan pasditen e sotme nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).
“Deri më 20 qershor, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 786 raste të kollës së mirë me një incidencë prej 42.8/100.000 banorë. Kjo paraqet një rritje të disafishtë të numrit të sëmurëve në krahasim me periudhën e kaluar pesëvjeçare – 2019-2023, kur janë regjistruar gjithsej 10 raste”, thuhet në raportin e ISHP-së.
Shpërndarja sipas gjinisë tregon se 366 persona janë meshkuj, ndërsa 420 femra.
Numri më i madh i rasteve janë shtruar në Klinikën universitare për sëmundje të mushkërive te fëmijët në Kozle. Mesatarisht, pacientët u shtruan në spital për nëntë ditë.
Në rrjedhë janë dy epidemi të paraqitura në territorin e Shkupit dhe Kumanovës.
- Nga 18 janari deri më 20 qershor, janë dhënë gjithsej 55.143 doza të vaksinës me një komponentë kundër kollës së mirë.