Një dramë e vërtetë ndodhi më 28 prill në Stacionin Hekurudhor të Shkupit, kur një taksist i revoltuar u ngjit në makinën e tij derisa “Merimanga” po përpiqej ta largonte.
Fatmir Xhelili për Televizionin Telma shpjegoi se çfarë ndodhi:
– Në atë moment erdhi një i punësuar nga Parking-u dhe më tregoi me gisht të largoj veturën. I thashë se duhet t’i tregojnë taksistëve të paligjshëm të mos na zënë vendin. Thirra dy herë policinë, por nuk më përgjigjën. U ktheva me shpinë nga makina kur ata filluan ta ngrinin, sapo vendosën kthetrat. I thashë një kolegu të më dërgojë në stacion sepse nuk po më përgjigjen. Nga Parking-u më thanë se më kanë paralajmëruar gojarisht. Korrupsioni dhe ryshfeti kanë vite që ndodhin këtu… – tha taksisti.
Ai u tha punëtorëve të Merimangës të ulin makinën, por ata nuk pranuan, ndaj u ngjit mbi të.
– Nuk e di çfarë do bëj tani. Qëllimi im është të shihet si funksionon shteti. Në vend që të reagojnë kur denoncoj ryshfet dhe korrupsion, ata u grindën me mua, kështu që u ngjita dhe u kap për veturë, – tha Fatmiri për Telma.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) doli me detaje për rastin:
– Në orën 12:00, në bulevardin “Kuzman Josifovski – Pitu” në Shkup, policët e SPB Shkup kanë ndaluar F. Xh. (57) nga Shkupi, pasi gjatë ngritjes së veturës së tij të taksisë nga automjeti i Pajakut, ai u soll në mënyrë agresive ndaj policëve, u ngjit mbi veturë dhe refuzonte të zbresë.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet padi përkatëse.