Hedhja e pandërgjegjshme e mbeturinave në sipërfaqe publike, gjegjësisht jashtë kontejnerëve të vendosur për këtë dedikim i krijon deponitë e paligjshme. Çdo vendosje e parregullt e mbeturinave jashtë kontejnerëve të vendosur paraqet shkelje të Ligjit për pastërti publike dhe njëherësh ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e mjedisit jetësor dhe shëndetin e njerëzve.
Ndërmarrja publike “Higjiena komunale” që kujdeset për mirëmbajtjen e pastërtisë publike në kryeqytet, për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave komunale dhe për ushtrimin e veprimtarive tjera që janë në kompetencë të tij, vitin e kaluar pastroi dhe ngriti 5.144 metra kub mbeturina nga deponitë e paligjshme. Kjo paraqet rritje prej 516 për qind në raport me periudhën e njëjtë të ngritjes së mbeturinave nga deponitë e paligjshme në vitin 2017.
Mbeturina në Shkup mblidhet shtatë herë në javë
Programi operativ për punën e ndërmarrjes parashikon që mbeturina të mblidhet gjashtë herë në javë. Megjithatë, ekipet e “Higjienës komunale” shtatë herë në javë, në tri ndërrime, e mbledhin dhe transportojnë mbeturinën komunale nga amvisëritë e Shkupit në pjesën urbane dhe rurale të qytetit, si dhe nga thuajse 600 subjekte ekonomike me qëllim që higjiena dhe pastërtia në qytetin e Shkupit të ngrihet në nivelin më të lartë të mundshëm. Vetëm brenda 12 muajve të kaluar janë mbledhur dhe transportuar gjithsej 140.809 tonë mbeturina komunale. Mbeturina e mbledhur dhe transportuar në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017 është rritur për 2.612 tonë ose 1,74 për qind.
“Mundohemi vazhdimisht ta rrisim vetëdijen publike për dëmin nga hedhja e pandërgjegjshme e mbeturinave. Çdo ditë i informojmë qytetarët dhe u bëjmë thirrje që mbeturinat e tyre komunale t’i gjuajnë vetëm në kontejnerët, kanaçet dhe shportat për mbeturina. Në këtë drejtim, ndërmarrja u mundëson qytetarëve që pa paguar kompensim në të holla mbeturinën e tyre të rënda, ku bëjnë pjesë mobilet e vjetra, pajisja elektronike dhe elektrike, ta deponojnë në Qendrat tona për selektim në Karposh dhe në Vardarishte”, deklaroi drejtori i “Higjienës komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani.
Ai shtoi se çdo hedhje e mbeturinave në sipërfaqe publike paraqet shkelje të Ligjit për pastërti publike dhe u nënshtrohet sanksioneve.
Vitin e kaluar janë përpiluar 1.400 procesverbale informative-edukative për qytetarët e pandërgjegjshëm
Për herë të parë gjatë vitit të kaluar, eko-patrulla e “Higjienës komunale” realizoi një numër të madh të aksioneve në koordinim me mbajtësit komunal të rendit nga Inspektorati i Qytetit të Shkupit. Me këtë rast, u përpiluan 1.400 procesverbale informative-edukative për qytetarët e pandërgjegjshëm që e shkelin Ligjin për pastërti publike, gjegjësisht i hedhin mbeturinat e tyre të forta dhe mbeturinat ndërtimore në sipërfaqe publike.
“Aksionet dhe kujdestaritë në terren rezultuan me paraqitje të ulur të deponive të paligjshme dhe hedhjen e parregullt të mbeturinave, ndërsa shpresojmë se trendi i njëjtë do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti”, shprehet Shabani.
Ai përkujtoi se vitin e kaluar u realizuan më shumë aksione për pastrimin e përgjithshëm e të gjitha komunave të Shkupit, aktivitete të përforcuara për pastrimin e bregut të lumit Vardar dhe larjen mekanike të bulevardeve dhe rrugëve më të mëdha të qytetit. Prej tetorit të vitit 2018, ndërmarrja merr përsipër grumbullimin dhe transportin e mbeturinave komunale në pjesën urbane të Komunës së Sarajit, si dhe në qendrën rekreative-sportive “Matka”.
Vitin e kaluar eko-patrulla dhe mbajtësit komunal të rendi kanë kryer kujdestari në disa lokalitete të vogla në më shumë komuna të Shkupit, si dhe në lokalitetet ku janë vendosur kontejnerë nëntokësorë në Komunën Qendër. Në kuadër të aksioneve intervenoi edhe Shërbimi kujdestar i “Higjienës Komunale” – Shkup.
Vitin e kaluar janë mënjanuar më shumë deponi të paligjshme në Shkup. Në Komunën Shuto Orizarë të Shkupit ekipet e “Higjienës komunale” pastruan gjithsej 390 metra kub deponi të paligjshme të përbërë prej mbeturinave ndërtimore, mbeturinave të forta dhe të përziera komunale.
Në kuadër të aksionit të koordinuar me Inspektoratin e Qytetit të Shkupit, ekipet e “Higjienës komunale” pastruan edhe një deponi të madhe të paligjshme që gjendej në një oborr privat në lagjen Lisiçe të Shkupit. Prej atje janë ngritur dhe transportuar 300 metra kub mbeturina të forta dhe të përziera komunale.
Është pastruar edhe deponia e paligjshme që shtrihej në bulevardin “Nikolla Karev”, në aksin nga kazerma “Ilinden” deri te semaforët në Momin Potok. Në kuadër të aksionit janë mbledhur edhe transportuar përafërsisht dhjetë metra kub mbeturina të forta, mbeturina ndërtimore dhe mbeturina të përziera komunale.
„Higjiena komunale” realizoi aksion për pastrimin e një deponie të madhe të paligjshme që gjendej në Komunën e Sarajit, në Shkup. Në kuadër të aksionit janë ngritur dhe transportuar përafërsisht 350 metra kub mbeturina të përziera komunale, mbeturina të forta dhe mbeturina ndërtimore.
Nga eko-patrola shprehen se edhe gjatë periudhës së ardhshme do të vazhdojnë me aksione të koordinuara në të gjitha komunat e Shkupit.
Vitin e kaluar gjithsej 490 kontejnerë të vjetruar në 140 lokacione të vogla në të gjitha komunat e Shkupit janë zëvendësuar me kontejnerë të rinj, ndërsa u bë edhe larja dhe dezinfektimi i të gjithë kontejnerëve të vendosur në qytet, si dhe në lokacionet e tyre të vogla.
Nevojitet vetëdije dhe edukim më i madh
Nga „Higjiena Komunale” u bëjnë thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturina në sipërfaqe publike meqë në këtë mënyrë ndotet mjedisi jetësor. Përkujtojnë se me automjetet e tyre speciale do t’u ofrojnë qytetarëve shërbimin për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave të forta nga shtëpitë e tyre. Për të gjitha informacionet mund të drejtohen në nr: 0800 22233 ose në telefonin kujdestar 3/216-644.
“Ne e dimë se shprehitë fitohen nga mosha më e vogël dhe pikërisht për këtë arsye në 12 muajt e kaluar shërbimi ynë për edukim mbajti ligjërata për veprimin dhe selektimin e rregullt të mbeturinave në 37 shkolla fillore dhe 20 kopshte për fëmijë në nëntë komuna të Shkupit, me ç’rast janë edukuar 1.775 fëmijë. Gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar ishim aktiv vetëm në 19 shkolla në katër komuna të Shkupit, ndërsa janë edukuar 980 fëmijë”, informon „Higjiena komunale“.
Theksojnë se do të përpiqen ta ruajnë dhe tejkalojnë cilësinë e shërbimeve dhe aktiviteteve të tyre meqë shkupjanët meritojnë të jetojnë në qytet më të pastër, më të bukur dhe në mjedis më të shëndosh jetësor.