Banorët e Çairit, edhe sot bllokuan bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh”. Në ditën e dytë të protestave ata drejtuan kritika ndaj shoferëve të makinave të cilët po i drejtojnë me shpejtësi të palejuar. Madje, banorët kërkuan që urgjentisht të vendosen semaforë në këtë rrugë më qëllim të krijohet suguri më e madhe për banorët, e posaçërisht fëmijët.
Përgjatë këtij bulevardi gjendet edhe parku i Çairit, mirëpo siç thonë banorët, rrallë herë e vizitojnë fëmijët nga frika për ta kaluar këtë rrugë.
Protestës iu bashkangjit edhe kreu i Çairit, Visar Ganiu. Ai tha se mbështet kërkesën për vendosjen e semaforëve por se për të njejtën duhet të jap leje Qyteti I Shkupit.
Protesta e banorëve u aktualizua pas aksidentit të dy ditëve më parë pikërisht në këtë rrugë. Tri vajza të mitura u përplasën nga një makinë taksie ndërsa po kalonin rrugën afër kalimit për këmbësorë. Policia po punon në zbardhjen e rastit ndërsa tri vajzat, pa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimit mjeksor janë në gjendje stabile.

