Kompania hungareze me kosto të ulët “Wizz Air” do të marrë subvencione nga Qeveria për pesë linja të reja ajrore. Nga nëntori, nga Shkupi do të mund të fluturohet për në Madrid dhe Stokholm, ndërsa nga dhjetori për në Pragë, Bari dhe Këln.
Fluturimi drejt Këlnit ishte ndërprerë vitin e kaluar me fillimin e sezonit dimëror të fluturimeve, pasi “Wizz Air” u tërhoq tërësisht nga ky aeroport gjerman për shkak të tarifave të larta aeroportuale.
Sa i përket Stokholmit, “Wizz Air” më parë fluturonte drejt aeroportit Skavsta, i cili ndodhet 100 kilometra larg kryeqytetit suedez. Edhe kjo linjë u ndërpre vitin e kaluar. Sipas informacioneve nga Ministria e Transportit, kësaj here “Wizz Air” do të zbarkojë në aeroportin kryesor të Stokholmit – Arlanda.
Tani, si Stokholmi ashtu edhe Këlni rikthehen në program me subvencione nga shteti. Subvencioni është 9 euro për pasagjer për udhëtimet që arrijnë në aeroportin e Shkupit.
“Sot në mëngjes e nënshkruam Marrëveshjen për pesë linjat e reja ajrore, të cilat do të sjellin më shumë turistë, më shumë biznes në Maqedoni dhe më shumë mundësi për të gjithë qytetarët. Me 11 linjat e reja që i kemi hapur tashmë dhe këto 5, tashmë flasim për 16 linja të reja që i kemi hapur vetëm për një vit,” tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, në një video-mesazh në rrjetet sociale.
Me subvencione nga Qeveria, “Wizz Air” më 3 maj ka filluar fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit drejt Barcelonës dhe Lionit, ndërsa nga tetori do të fluturojë edhe drejt Shtutgartit. Në thirrjen e parë për subvencione, i mori edhe “Turkish Airlines” për nisjen e linjës ajrore nga Ohri drejt Stambollit. Me mbështetje financiare nga Qeveria, në fund të marsit duhej të fillonte edhe fluturimi Shkup – Dubai me “Fly Dubai”, por për momentin kjo linjë është shtyrë.
Në thirrjen e dytë të Qeverisë, subvencione mori edhe kompania ajrore “EasyJet” për nisjen e linjave nga Aeroporti i Shkupit drejt Gjenevës dhe aeroportit “Orly” në Paris. Nga Shkupi për në Paris fluturimet nisën më 2 prill, ndërsa për në Gjenevë do të nisin më 3 nëntor.

