Emisari i SHBA-së për Misione Speciale thotë se heshtja e liderëve evropianë përballë mbajtjes pesëvjeçare në paraburgim të ish-presidentit kosovar është dëshmi e dështimit të Evropës.
Richard Grenell
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione Speciale, Richard Grenell, ka kritikuar ashpër sistemin evropian të drejtësisë, duke theksuar se shpreson që një ditë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të ndërmarrë veprime ligjore në një gjykatë amerikane pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë të Holandës.
Grenelli e ka quajtur “brutal dhe arkaik” sistemin evropian të drejtësisë, duke vlerësuar se Gjykata Speciale është e kontrolluar nga “elitat” e Evropës. Ai ka kritikuar evropianët veçanërisht faktin se ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës vazhdon të jetë në paraburgim qe pesë vjet, pa një vendim përfundimtar gjyqësor.
“Ka shumë arsye pse Evropa është duke dështuar – një shembull është numri i madh i politikanëve evropianë që heshtin pavarësisht faktit se Haga ka mbajtur në burg një kryetar shteti për pesë vjet pa gjyq. Ky është një sistem brutal dhe arkaik i kontrolluar nga elitat. Kjo nuk është drejtësi. Dhe askush nuk duhet të marrë sugjerime juridike nga evropianët – kurrë. Shpresoj që Thaçi t’i padisë të gjithë ata në Hagë në një gjykatë amerikane kur të dalë – tek e fundit, janë paratë e taksapaguesve amerikanë”.
Grenelli ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar si institucion politik që ka dëmtuar procesin e paqes në Ballkanin Perëndimor. Ai ka theksuar në disa raste se veprimet e kësaj gjykate kanë minuar përpjekjet e administratës Trump për të arritur një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë.

