Një burrë nga rrethina e Kërçovës do të përfitojë një dëmshpërblim prej 300.000 denarësh për dhimbjet fizike dhe frikën e përjetuar pasi u sulmua nga një ari në gusht të vitit 2022, derisa po kthehej në këmbë nga ara për në shtëpi.
Fibau
Gjatë këtij incidenti të paprovokuar, viktima pësoi lëndime serioze në anën e djathtë të ballit, në tëmth, si dhe dëmtime në duar dhe kofshë, të cilat u sanuan përmes ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin e Prilepit ku ai mori edhe vaksinën kundër tërbimit.
Përveç lëndimeve fizike që shkaktuan dhimbje intensive për rreth dhjetë ditë, personi pësoi edhe trauma psikologjike që kërkuan trajtim psikiatrik.
Gjykata e Apelit në Gostivar, pas ankesës së paraqitur, e ndryshoi vendimin fillestar të Gjykatës së Kërçovës duke e ulur shumën e dëmshpërblimit nga 350.000 në 300.000 denarë, duke llogaritur nga 100.000 denarë për dhimbje fizike dhe frikë, si dhe nga 50.000 denarë për uljen e aktivitetit jetësor dhe dhimbjet shpirtërore nga shëmtimi.
Ndonëse paditësi kërkoi dëmshpërblim më të lartë me pretendimin se institucionet dështuan në marrjen e masave mbrojtëse, Gjykata e Apelit vlerësoi se shuma e caktuar përfundimtare është e mjaftueshme për dëmin e pësuar.

