Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet që sot, më 17 nëntor, të shpallin aktgjykimin në rastin e njohur si “Administrimi i Drejtësisë”, ku të akuzuar janë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër persona të tjerë. Në këtë rast, përveç Thaçit, akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe Fadil Fazliu. Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, seanca për shpalljen e aktgjykimit do të nisë në orën 10:00. Të pesë të akuzuarit pritet të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit. Ata akuzohen për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë, përfshirë ndërhyrjet e pretenduara në dëshmitë e dëshmitarëve dhe shkeljen e urdhrave të gjykatës. Sipas aktakuzës, Thaçi dyshohet se gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit ka ndarë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë dhe ka tentuar të ndikojë në dëshmitë e tyre. Ndërsa Hajredin Kuçi përballet me pretendime për kontakte të palejuara me dëshmitarë. Sa burgim kërkoi Prokuroria? Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin. Kujtojmë se Thaçi është dënuar më 16 shtator, në shkallë të parë, me 25 vjet burgim për krime lufte. Në rast se shpallet fajtor edhe në këtë proces, ai mund të përballet me një dënim tjetër. Procesi gjyqësor ndaj pesë të akuzuarve kishte nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa administrimi i provave ishte përmbyllur më 5 gusht. Pas deklaratave përmbyllëse të palëve, gjykatësi i vetëm e kishte shpallur çështjen të mbyllur më 14 shtator të këtij viti. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe deri në shpalljen e aktgjykimit gëzojnë prezumimin e pafajësisë.

