Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar sot se qeveria ka anuluar tenderin për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, ende pa përfunduar afati i dhënë në tender. Ilire Dauti, zëdhënëse e ASH-së, bëri publike para medieve dokumentin me të cilin është anuluar tenderi në fjalë.
“Aleanca ka sigurura dokumentin e anulimit nga Byroja për Furnizime Publike ku edhe është publikuar ky dokument me të cilin është anuluar projekti në fjalë. Në pjesën e arsyetimit të anulimit qëndron se nuk ka pasur asnjë ofertë, apo asnjë ofertë të pranueshme. Prandaj ne si Aleancë pyetjen e parë që e shtrojmë është, pse projekti është anuluar, ndërkohë që data për aplikimin e tenderit është deri më 29 Nëntor të vitit 2019. Aleanca pyet BDI-në se mos vallë ky projekt po ruhet si një vegël premtimi për fushatën zgjedhore që është përpara nesh” – pyet zëdhënësja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, përcjell in7.
Sipas Dautit, Bashkimi Demokratik për Integrim shpesh ka premtuar investime kapitale prej qindra miliona eurosh, por këto projekte ose nuk kanë filluar fare ose janë lënë përgjysmë për tu shfrytëzuar për qëllime zgjedhore.
“Në vitin 2014 u premtua edhe hapja e kufirit Bellanoc – Stançiq, si edhe ai Tanushë – Debëllde, por që ende janë vetëm në fazën fillestare. Një investim tjetër kapital dhe jetik për vendbanimet shqiptare ishte ndërtimi i stacioneve filtruese dhe rrjeteve të ujësjellësit në Tetovë dhe Likovë. Deri kur BDI mendon ti gënjejë shqiptarët me të njëjtat premtime boshe, të cilat as nuk ka ndërmend ti realizojë ndonjëherë”, përfundoi Ilire Dauti.
Sipas Aleacnës për Shqiptarët, partia shqiptare në pushtet e ka për zakon që në çdo fushatë zgjehdore ti japë premtimet e njëjta, por kësaj radhe sipas tyre, ata nuk do ta lejojnë këtë gjë pasi do ti publikojnë tëgjitha projektet e lëna përgjysmë ose që premtohen vazhdimisht e nuk realizohen.

