Lindja e Mesme është përfshirë nga një valë e re dhune mëngjesin e sotëm, pasi Izraeli konfirmoi nisjen e një operacioni masiv ushtarak “parandalues” kundër Iranit. Sulmi, i cili synon eliminimin e kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Teheranit, ka rikthyer frikën e një lufte rajonale në shkallë të gjerë.
Rreth orës 08:15 sipas kohës lokale, sirenat e alarmit ajror u dëgjuan në të gjithë Izraelin, ndërsa shpërthime të fuqishme tronditën Teheranin. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se operacioni ishte i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e shtetit të Izraelit.
LIVE: From the Middle East after US and Israel launch attack on Iran
Sipas raporteve nga terreni, goditjet nuk janë kufizuar vetëm në kryeqytet, por kanë përfshirë edhe qendra të rëndësishme si Isfahani, Qomi dhe Karaji, ku videot e publikuara në rrjet tregojnë re të dendura tymi.
Edhe pse qeveria amerikane nuk ka dhënë ende një konfirmim zyrtar, mediat prestigjioze si Neë York Times raportojnë se forcat e SHBA-së janë pjesë aktive e operacionit. Një zyrtar i mbrojtjes izraelite, pohoi se sulmi ishte planifikuar prej muajsh në koordinim të ngushtë me Uashingtonin.
Në mesin e këtij kaosi, burime për Reuters bëjnë me dije se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është evakuuar nga rezidenca e tij në Teheran (e cila raportohet si zonë e goditur) dhe është transferuar në një vend të sigurt.
Ndërkohë edhe në Izrael është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Hapësira ajrore është mbyllur për fluturimet civile, ndërsa shkollat dhe vendet e punës jo-thelbësore janë pezulluar. Ky përshkallëzim vjen pas dështimit të bisedimeve të shkurtit, ku Tel Avivi këmbëngulte në çmontimin e plotë të infrastrukturës bërthamore iraniane.
Ky sulm pason luftën ajrore 12-ditore të qershorit të kaluar dhe shënon fundin e diplomacisë. Teherani ka paralajmëruar më parë se do të hakmerret kundër çdo baze amerikane në rajon, duke e futur botën në një pritje ankthi për lëvizjen e radhës. /tesheshi.com/

