Pas konferencës së fundit për shtyp të mbajtur nga përfaqësues të koalicionit VLEN-Likovë në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale, ka ardhur një reagim publik nga Mersim dhe Naim Ibrahimi, djemtë e Shenasi Ibrahimit – dëshmorit të UÇK-së nga Sllupçani. Që të dy u përmendën sot se, për shkak të neglizhencës së BDI-së dhe kryetarit të Likovës, Erkan Arifi, ata janë larguar drejt Evropës.
Në reagimin e dy djemve të dëshmorit Shenasi Ibrahimi, thuhet se përdorimi i emrave të familjeve të dëshmorëve për qëllime partiake është i papranueshëm dhe i kërkojnë të gjitha palëve të tregojnë respekt për sakrificën dhe kujtimin e atyre që dhanë jetën për lirinë kombëtare.
“Sot, gjatë një konference shtypi në kuadër të zgjedhjeve komunale, është përmendur emri im dhe i vëllaut tim dhe emrat e disa familjeve të dëshmorëve. Dua të them qartë dhe me respekt: nuk është e drejtë që të përmenden publikisht emrat e fëmijëve të dëshmorëve në kontekste politike. Familjet e dëshmorëve nuk i përkasin asnjë partie politike. Ne i përkasim popullit. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi gjithmonë në krah të popullit tonë”, thuhet në reagim.
Mersim dhe Naim Ibrahimi theksojnë se dyert e shtëpisë së tyre kanë qenë gjithmonë të hapura për çdo shqiptar, pa dallim bindjeje politike apo krahinore, por njëkohësisht nënvizojnë se nuk do të lejojnë keqpërdorimin e emrit të familjes së tyre për qëllime elektorale.
“Dera e shtëpisë sonë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë e hapur për çdo shqiptar dhe për çdo njeri të mirë. Personalisht, nuk kemi asgjë kundër askujt – jemi bashkëfshatarë dhe duhet të jemi gjithmonë për njëri-tjetrin. Por ka momente kur heshtja dhe respekti janë më shumë se çdo fjalë”, theksojnë ata.
Në fund të reagimit, djemtë e dëshmorit Ibrahimi apelojnë për përgjegjësi publike dhe ndalimin e përhapjes së dezinformatave që përfshijnë emrat e familjeve të dëshmorëve, duke kujtuar se sacrifica e tyre është e përbashkët për të gjithë shqiptarët, jo pronë e asnjë partie.
“E drejta e secilit për t’u shprehur është e garantuar, por është po aq e rëndësishme që të mos përhapim dezinformata dhe të mos përdorim emrat e të tjerëve në debate politike”, thuhet në reagim.

