Qeveria, e detyruar të negociojë me ta për të mbajtur ekonominë në këmbë, ka shkaktuar inflacion të lartë, mbi 40% në vit, që ka goditur rëndë popullsinë, veçanërisht klasën e mesme. Pas luftës me Izraelin, vendi u përpoq të zhvendoste kontrollin e valutës nga oligarkët, por kjo rritje e çmimeve dhe manipulimet financiare shkatërruan shpresën e qytetarëve
Irani po përballet me protesta të mëdha, pavarësisht se pak muaj më parë, gjatë përballjes me Izraelin, populli mbështeti qeverinë. Arsyeja nuk është vetëm lufta apo krizat aktuale, por një situatë komplekse sociale, politike dhe ekonomike. Pas luftës Iran-Irak dhe heqjes së funksioneve të kryeministrit, presidentët iranianë janë bërë kryesisht “zbatues” të vendimeve, pa rolin e vendimmarrësit kryesor. Gjatë viteve të sanksioneve, qeveria ka lejuar oligarkë dhe familjarë të funksionarëve të pasurohen duke menaxhuar tregtinë e naftës dhe importet, shpesh përfitues nga shumat e mëdha që hynin në vend. Këta oligarkë kontrollojnë edhe mallrat bazë si ushqime, barna dhe ushqim për kafshë, duke u konsideruar “pronarë të vërtetë të vendit”.
Qeveria, e detyruar të negociojë me ta për të mbajtur ekonominë në këmbë, ka shkaktuar inflacion të lartë, mbi 40% në vit, që ka goditur rëndë popullsinë, veçanërisht klasën e mesme. Pas luftës me Izraelin, vendi u përpoq të zhvendoste kontrollin e valutës nga oligarkët, por kjo rritje e çmimeve dhe manipulimet financiare shkatërruan shpresën e qytetarëve.
Protestat nisën në qytete të mëdha si Mashhad, ku njerëzit, të lodhur nga inflacioni dhe mungesa e perspektivës, dolën në rrugë. Shumë të rinj, që kanë njohur vetëm sanksione dhe krizë ekonomike, ndihen të tradhtuar dhe të papërfaqësuar politikisht. Lëvizjet pro-demokracisë janë shtypur me arrestime dhe gjyqe të rënda, duke lënë vetëm opozitën monarkiste si zë publik që mbledh dhe udhëheq klasën e mesme të zhgënjyer. Situata është përkeqësuar edhe nga një hendek mes gjeneratave: të rinjtë nuk besojnë më tek aktivistët e mëparshëm dhe shohin në monarkistët e jashtëm një alternativë, ndërsa e vërteta është se qeveria dhe oligarkët vazhdojnë të kontrollojnë vendin pa përgjegjësi. Protestat e fundit janë shprehje e dëshpërimit të grumbulluar për vite me radhë, ku liritë politike, shanset ekonomike dhe shërbimet bazë janë kufizuar.
Ajo që mbetet e paqartë është nëse populli do të arrijë të sfidojë koalicionin e qeverisë dhe oligarkëve dhe të ndryshojë realitetin social dhe politik në vend.
Ndërkohë, numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2.403, njoftoi HRANA, grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara (SHBA). Ky numër po vazhdon të rritet sepse udhëheqësit klerikë të Republikës Islamike po bëjnë përpjekje për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite, duke nxitur kërcënime për ndërhyrje nga SHBA-ja. Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje iranianëve t’i vazhdojnë protestat, duke iu premtuar se do t’iu dalë në ndihmë. HRANA tha të mërkurën vonë se deri më tani e ka verifikuar vdekjet e 2.403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me Qeverinë, 12 personave nën moshën 18-vjeçare dhe nëntë civilëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta. Një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2.000 njerëz janë vrarë. Kjo ishte hera e parë që autoritetet japin një shifër të përgjithshme të viktimave nga trazira mbarëkombëtare mbi dyjavore. I pyetur se çfarë nënkuptonte kur tha se “ndihma po vjen”, Trump u tha gazetarëve se ata do të duhej ta kuptonin vetë.
Trump ka deklaruar se veprimi ushtarak është ndër mundësitë që është duke i shqyrtuar për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave. Në një intervistë për CBS Neës, Trump tha se SHBA-ja do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” në Iran, nëse regjimi fillon t’i varë protestuesit. “Nuk duam që ajo që po ndodh në Iran të vazhdojë”, tha ai. “Nuk do të përfundojë mirë”.
Ai shtoi se administrata po pret një konfirmim zyrtar të numrit të protestuesve të vrarë nga forcat iraniane të sigurisë. Trump shpalli tarifa importi prej 25 për qind për produktet nga çdo vend që bën tregti me Iranin – i cili është eksportues i madh i naftës. Kina, e cila blen pjesën më të madhe të eksporteve të naftës së Iranit, e kritikoi menjëherë këtë veprim. Në një bisedë telefonike të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit të pranishëm në bisedë, raporton Reuters. Irani u zotua se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi duke goditur Izraelin dhe bazat e anijet amerikane.
Trazirat, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike, kanë paraqitur sfidën më të madhe të brendshme për udhëheqësit iranianë për të paktën tre vjet dhe kanë ndodhur në një kohë presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Iranit për programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike.

