Profesorët e Universitetit të Tetovës nga Katedra e Informatikës, Prof. Dr. Festim Halili dhe Doc. Dr. Merita Kasa Halili, morën pjesë si profesorë të ftuar (Visiting Professors) në Universitetin e Szegedit dhe Universitetin e Pécsit në Hungari, në kuadër të një programi ndërkombëtar të shkëmbimit akademik.
Gjatë kësaj vizite, profesorët e UT-së mbajtën ligjërata tematike për studentët dhe stafin akademik në fushat më bashkëkohore të shkencave kompjuterike. Prof. Dr. Festim Halili prezantoi zhvillimet më të reja në fushën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa Doc. Dr. Merita Kasa Halili ligjëroi mbi Sistemet e Shpërndara Bashkëkohore dhe sfidat teknologjike që lidhen me to. Ligjëratat u pritën me interes dhe vlerësim të lartë nga audienca në të dy universitetet hungareze.
Në kuadër të vizitës, u zhvilluan takime me përfaqësues të laboratorëve kërkimorë të fushës, si Inteligjenca Artificiale, Machine Learning dhe Teknologjitë e Printimit 3D, ku u shkëmbyen ide për hulumtime të përbashkëta dhe u identifikua potencial për bashkëpunim në projekte shkencore.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e zgjerimit të bashkëpunimit institucional përmes programeve Erasmus+ dhe CEEPUS, si dhe mundësitë për aplikim në projekte kërkimore në kuadër të Horizon Europe dhe Marie Skłodowska-Curie Actions. Gjithashtu, palët diskutuan për organizimin e konferencave shkencore të përbashkëta dhe punëtorive ndërdisiplinare në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Kjo vizitë është dëshmi konkrete e përkushtimit të Universitetit të Tetovës për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e cilësisë akademike. Ajo afirmon gjithashtu kapacitetet shkencore dhe rolin aktiv të stafit të UT-së në arenën akademike ndërkombëtare.