Në organizim të Degës së BDI-së në Strugë mbrëmë u mbajt mledhje me popullin, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti si dhe bashkëdrejtues të kësaj partie.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dërgoi një paralajmërim të ashpër ndaj strukturave politike maqedonase, duke i akuzuar për hakmarrje sistematike dhe përjashtim të shqiptarëve nga institucionet. Sipas tij, këto politika mund të shkaktojnë pasoja serioze dhe një “revoltë të paparë” në mesin e komunitetit shqiptar.
“Kjo hakmarrje kundër shqiptarëve nuk i ndihmon shtetit dhe perspektivës së tij evropiane. Ajo nxit revoltë te shqiptarët, dhe ata nuk e kuptojnë këtë. Kjo duhet të kuptohet drejt!”, deklaroi Ahmeti, duke aluduar në raste të përjashtimit, degradimin e dygjuhësisë dhe drejtësinë selektive.
Ahmeti paralajmëroi se përpjekjet për ndarje dhe marginalizim politik do të destabilizojnë shtetin dhe përsëriti: “Ne duam demokraci funksionale, por nëse nuk ndalet diskriminimi – gota do të derdhet.”