Në organizim të Shoqatës për zhvillimin e kulturës në Maqedoni “Porta Skupi” në parkun e Sarajit sot u hap manifestimi “Artizanatet dhe folklori edhe në dobi të gruas së sotme”.
Në këtë manifestim pjesëmarrëse ishin gra nga komuna e Sarajit, ku nëpërmjet këtij manifestimi u prezantuan vlerat dhe artizanatet tradicionale të gruas së kësaj ane. Manifestimin e hapi kryetarja e Shoqatës “Porta Skupi” Arlinda Kalisi e cila tha se ky manifestim organizohet për herë të parë në komunën e Sarajit.
“Me këtë rast gratë e kësaj komune kanë prezantuar dhe promovuar punimet e tyre të dorës, ku nëpërmjet këtij projekti dëshirojmë të ngrisim vetëdijen e gruas së kësaj ane për integrimin e saj në tregun e punës, që në të ardhmen të jetë burim financiar i tyre”, tha kryetarja Kalisi.
I pranishëm në ngjarje ishte dhe kryetari i komunës Bekim Murati i cili pershëndeti nismën e “Porta Skupit” për një projekt të tillë.
“Komunës së Sarajit i është dashur një projekt i tillë që ka të bëjë në lidhje me gruan dhe shpresoj në të ardhmen do mbështesim projekte të kësaj natyre”, tha Murati.
Poashtu e pranishme ishte dhe kryetarja e Lidhjes së Gruas -Tetovë Xhane Kreshova e cila tha se është në përkrahje të lidhjeve të grave që ka të bëjë me kulturën dhe gruan, e sidomos projekti i sotëm “Porta Skupit”, siç shtoi ajo, “gratë e kësaj ane kishin prezantur punime dhe gjëra shumë të bukura të kësaj ane”.
Sipas kryetares së Shoqatës, Kalisi ky manifestim, madje do jetë tradicional, ku gratë e këtij rajoni nëpërmjet faqes “Porta Skupi” do mund të prezantojnë dhe të shesin artizanatet e tyre.
Manisfestimi “Artizanatet dhe folklori në dobi edhe të gruas së sotme”, përveç punimeve kishte dhe një program të pasur artistik me Ansamblin “Drita e Dërvenit”. Ndryshe, ky manifestim është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Qyteti i Shkupit, Komuna e Sarajit, Tikvesh dhe Telekomi i Maqedonisë.