Një aksident i rëndë trafiku që ndodhi pasditen e djeshme në kryqëzimin mes bulevardit “Nikolla Karev” dhe bulevardit “8 Shtatori” në Shkup, ka marrë jetën e dy personave – drejtuesit të motorit dhe pasagjeres së tij.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, një motor me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.I. (47) nga Shkupi, ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një shtyllë betoni.
“Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi dhe pasagjerja e tij A.N. (32), të dy nga Shkupi, kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen e tyre,” kanë deklaruar nga MPB.
Ekspertiza në vendin e ngjarjes është kryer nga ekipi hetimor i SPB Shkup dhe një prokuror publik. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Mjekësinë Ligjore për autopsi.