Ishte hidrocentrali i parë në Maqedoni që ka prodhuar energji elektrike, ndërsa sot është muze dhe pjesë e ofertës turistike të kryeqytetit. Për të zyrtarizuar bashkëpunimin, u nënshkrua memorandum ndërmjet drejtorisë së EVN-së dhe autoriteteve të Qytetit të Shkupit. Kryetar i Bordit drejtues të EVN- Maqedoni Shtefan Peter, tha se kjo do tu shërbej turistëve për argëtim, ndërsa nxënësve për të mësuar se si prodhohet rryma.
“Sëpari, ne kemi pasur mbi 8 mijë vizitorë në vitin e parë të hapjes së kësaj qendre ekspozuese. Sëdyti, tani kemi shumë fëmijë këtu që të mësojnë se si të përdorin rrymën, si prodhohet dhe shpërndahet energjia elektrike, për shkak se kjo është një situatë komplekse ”, tha Shtefan Peter, Kryetar i Bordit drejtues të EVN-Maqedoni.
Hapja e muzeut të EVN-së, e pasuron ofertën turistike të Shkupit tha kryetari qytetit Petre Shilegov.
“Qyteti i Shkupit vazhdimisht punon për krijimin e pikave të reja turistike, me të cilin do të nxisim zhvillimi rajonal ekonomik, duke e pasuruar edhe ofertën tonë turistike. Bashkëpunimi me sektorin privat me përgjegjësi kolektive siç është edhe kompania EVN-së, për ne ka shumë rëndësi. Matka meriton kujdes shumë më të madh me qëllim të shfrytëzimit maksimal të potencialit të tij turistik ”, tha Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Përkundër interesimit të madh të vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj, ata ankohen për kushte infrastrukturore që u vështirësojnë arritjen dhe qëndrimin në Matkë. Blerim Bexheti, kryetari i Komunës së Sarajit, në territorin e së cilës graviton ky kanion, tha se kanë prioritet të zgjerojnë rrugën që të shpie drejt kësaj qendre turistike dhe të sigurojnë vendparkime të mjaftueshme. Sipas tij, ende janë në fazën e bisedimeve me autoritetet e Qytetit të Shkupit për të hartuar një projekt për rinovimet infrastrukturore.
Në këtë qendër ka rreth 30 eksponate, të cilat me anë të qasjes multmediale dhe interaktive ju mundësojnë vizitorëve të fitojnë njohuri të reja për energjinë elektrike. Përfaqësues të disa universiteteve në Maqedoni, të shkollave të mesme dhe fillore, si dhe përfaqësues të Byros për zhvillim të arsimit, nënshkruan iniciativë për shfrytëzimin e muzeut për qëllime edukativo-arsimore.