Kohë më parë skadoi afati për konkurim në MPB, dhe tani më janë përzgjedhur rreth 500 kandidatët më të mirë të cilët do të ndjekin kursin e policëve 12 mujor në Qendrën e Idrizovës. Zëvendes ministri i MPB-së Agim Nuhiu thotë se mbi 120 prej tyre janë shqiptarë dhe se përzgjedhja është bërë duke respektuar përfaqësimin e plotë të shqiptarëve në MPB.
“Një muaj më parë patëm konkursin për pranim të policëve të rinjë, konkursi kishte të bëjë me rreth 500 vende të reja për policë dhe gjatë përzgjedhjes së kandidaëve kemi qenë gjithmon të përcaktuar që të respektojmë edhe profesionalizmin dhe parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, sepse kemi vlerësuar se këto dy kushte duhet të plotësohen në mënyrë kumulative që ky konkurs si institucion juridik të jetë i vlefshëm për sistemin juridik politik të vendit. Janë pranuar 500 kandidatë të rinjë ashtu kemi pasur konkursin dhe 25 përqind janë shqiptarë ose janë mbi 120 kandidatë të përkatësisë shqiptare ata do të duhet të ndjekin konkursin në qendrën në Idrizovë dhe pastaj dhe të fillojnë detyrat sipas vendit të punës ku do të sistematizohen”, u shpreh ministri i mbrendshem Agim Nuhiu.
Përveç kësaj, në MPB në përfundim e sipër është edhe konkursi për pranimin e 50 inspektorëve të rinjë me arsim të profileve të ndryshme. Edhe në këtë konkurs përzgjedhja do të bëhet në bazë të respektimit të kritereve ligjore për seleksionim dhe parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, thotë Nuhiu.
“Të gjithë kandidatët të cilat kanë shkollimin e caktuar,pra kemi pasur vende të punës me fakultet të sigurisë, kriminalistikës, me fakulte juridik, ekonomik dhe me shkollim të mesëm dhe të gjithë ata që i kanë plotësuar kushtet tjera në përputhje me konkursit do të futen në konkurencë dhe do të përzgjidhen pa dyshim më të mirat”, theksoi Nuhiu.
Autoritet e MPB-së nuk përjashtojnë mundësinë që deri në fund të këtij viti në bazë të nevojave të hapet edhe një konkurs tjetër për policë.