Në kuadër të projektit “Përfshirja e fëmijëve romë në arsimin parashkollor”, u nënshkruan sot marrëveshjet trepalëshe të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, 21 komunave dhe kopshteve.
Marrëveshjet e Bashkëpunimit mundësojnë qëndrim dhe përkujdesje falas të rreth 350 fëmijëve romë në kopshte dhe sigurohet përmes bllok-granteve të dhëna nga Ministria për komunat.
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, në fjalën e tij para të pranishmëve, informoi se gjatë 16 viteve të fundit që nga zbatimi i projektit mbi 5000 fëmijë nga komuniteti rom në 20 komuna janë përfshirë pa pagesë, me 20 kujdestarë romë të punësuar për të punuar me këta fëmijë duke lehtësuar procesin e integrimit të fëmijëve romë në kopshte.
“Është e rëndësishme të theksohet se fëmijët romë nuk janë vendosur në grupe të veçuara në kopshte, por në grupe të integruara së bashku me fëmijët nga komunitetet tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në çdo Raport për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të Komisionit Evropian, ky projekt u vu në dukje si model i suksesshëm për ngritjen e nivelit të arsimimit te popullata rome”, tha Limani.
Ai gjithashtu theksoi se projekti ka kontribuar në rritjen e shkallës së regjistrimit të fëmijëve në klasën e parë, por edhe për t’u bërë lider në rajon me numrin më të madh të fëmijëve romë të përfshirë në të gjitha nivelet e arsimit.
Që nga viti 2019, me rekomandim të Qeverisë, ky projekt zbatohet përmes një qasjeje sistematike me përfshirjen e komunave për lirimin nga participimi të prindërve të fëmijëve romë që janë në rrezik social. “Investimi në arsimimin e fëmijëve romë është thelbësor dhe kontribuon në një integrim më të shpejtë të komunitetit rom në shoqëri. Arsimi i romëve tregon pasqyrën reale dhe nivelin e kulturës sonë si shoqëri dhe shtet”, theksoi Limani.