More

    Ilir Meta është edhe zyrtarisht Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë

    Me fjalën “Betohem”, Ilir Meta është edhe zyrtarisht Presidenti i ri i Republikës.

    Seanca e mbledhur këtë të hënë, ashtu siç ishte parashikuar, drejtohej nga Valentina Leskaj, e cila pas betimit ftoi Presidentin e ri që të mbajë fjalimin e rastit.

    “Në këto momente solemne, duke përcjellë falënderimet për Kuvendin e Shqipërisë që më zgjodhi në këtë detyrë kaq fisnike, më lejoni që t’ju dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në gërmë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mija Kushtetuese në interesin më të mirë të vendit, të kombit dhe qytetarëve shqiptar, pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësia e detyrës; integritetin, drejtësinë dhe pa-anshmërinë ”, tha Meta.

    Presidenti i sapobetuar tha se kushtetutshmëria dhe respektimi i shtetit të së drejtës do të jenë referenca kryesore në ushtrimin e detyrës për pesë vitet e ardhshme.

    “Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale. Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian”, tha ai.

    E mes këtyre reformave është edhe ajo në drejtësi, për të cilën Meta tha se në rolin e ri si President i vendit, do të kontribuojë në avancimin dhe zbatimin e plotë të saj.

    “Sot angazhohem edhe si President, për të mbështetur zbatimin e drejtë e transparent të kësaj reforme në interes të forcimit të shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përmirësimit të klimës së biznesit aq e domosdoshme për të rritur ekonominë tonë më tej e sidomos për të krijuar vende pune të mirëpaguara për të rinjtë tanë”, deklaroi Meta.

    Ilir Meta pati një përshëndetje edhe për partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, duke i siguruar ata se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol stabilizues në rajon.

    “Shqipëria jonë është prej disa vitesh anëtare e barabartë në NATO dhe pranë hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Faktori shqiptar në rajon është në kohët e veta më të mira. Kosova është shtet i pavarur dhe ne besojmë se së shpejti do t’i gëzohet liberalizimit të vizave me BE-në dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj. Shqiptarët në Maqedoni janë me mundësi shumë më të mëdha se në çdo kohë tjetër për ta çuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në një stad të ri më cilësor. Në Mal të Zi shqiptarët kanë qenë një faktor me peshë për ta orientuar shtetin e tyre drejt aleancave perëndimore. Më shumë të drejta meritojnë shqiptarët e luginës së Preshevës, që do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë të pakursyer. Pavarësisht statusit të tyre brenda shteteve ku ndodhen, si shumicë apo pakicë, shqiptarët kanë luajtur e po luajnë rol stabilizues, konstruktiv dhe emancipues në gjithë rajonin tonë. Unë jam besimplotë për të vazhduar angazhimet tona maksimale për respektimin e të drejtave të pakicave etnike e kulturore në Shqipëri, në pajtim të plotë me Konventën Europiane dhe atë Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, deklaroi Presidenti i ri.

    Duke e kthyer vëmendjen këtë herë drejt opozitës, e cila mungoi në seancën e zgjedhjes së tij President në 28 Prill, Ilir Meta u kujdes të theksojë se këtë herë se betimin për postin më të lartë të shtetit e ka bërë edhe me zemër.

    “Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje sesa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu. Por sot dua t’ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin”, u shpreh ai.

    Në fund të fjalimit të tij të parë si president, pas 25 viteve përkushtim në politikë, Ilir Meta u zotua se në ushtrimin e kësaj detyre, do të udhëhiqet vetëm nga dashuria për Shqipërinë duke lënë pas debatet, apo përkatësitë politike.

    “Dua t’ju siguroj se në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të lartë që Kuvendi i Shqipërisë më ka besuar do të udhëhiqem vetëm nga dashuria e pakufishme për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, duke lënë pas bashkë me 25 vitet e mija në këtë Kuvend çdo debat, apo përkatësi politike që kam patur për t’iu përgjigjur lartësisë së re të detyrës së Presidentit të Republikës”, tha ai.

    Ajo çfarë ra në sy në këtë seancë të jashtëzakonshme ishte mungesa e një shtrëngimi duarsh mes Presidentit të ri dhe Kryeministrit Rama, ndonëse përshëndetja e përzemërt me ish-Kryeministrin Berisha nuk mungoi.

    Të pranishëm në seancën për betimin e Presidentit të ri, që zgjati vetëm 10 minuta ishin  deputetë, zyrtarë të lartë, ambasadorë të huaj dhe trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë, drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare, ndërsa zoti Meta u shoqërua në dalje nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj i vetëm, ku iu drejtua selisë që do të drejtojë për 5 vitet e ardhshme.

    - Marketing -Ajsel Medica

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    spot_img

    Të fundit

    Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda në Gjavatë dhe në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit

    Prej sot në orën 7:00 vendoset ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese në qafën malore Gjavatë, njoftoi...

    Pa rrymë një pjesë e shfrytëzuesve të komunës së Sarajit, Butelit dhe Gjorçe Petrovit

    Nga EVN Maqedoni SHA informojnë se sot pa energji elektrike do të mbetet një pjesë e shfrytëzuesve të komunës...

    Mickoski i del kundër Fatmir Limanit, u kërkon falje banorëve të Haraçinës dhe Likovës

    Mickoski i ka dalë kundër Fatmir Limanit duke u kërkuar falje banorëve të Haraçinës dhe Likovës dhe tha se...

    Ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda në afërsi të Kriva Pallankë – Deve Bair

    AMSM njofton se për shkak të reshjeve të dendura të borës që nga ora 09:55 në rrugën Kriva Pallankë...