Problemet me kanalizimin, pajisjet e dëmtuara dhe përdorimi i papërshtatshëm i hapësirave të përbashkëta janë disa nga situatat me të cilat është përballur drejtoria e konviktit studentor “Stiv Naumov” në Shkup, ndonëse objekti së fundmi është rinovuar.
Pas informacioneve për bllokimin e kanalizimit për shkak të pecetave të lagura të hedhura në të, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se janë regjistruar edhe incidente të tjera. Ndër to janë shkëputja e një radiatori nga muri, aktivizimi i sistemit të alarmit dhe parkimi i automjeteve në sipërfaqet e gjelbra në oborrin e konviktit.
Nga Ministria e Arsimit sqarojnë se alarmi është aktivizuar në dy raste: kur ushqimi është lënë në një furrë me mikrovalë të ndezur në kuzhinën e përbashkët dhe kur është ndezur një cigare në një dhomë studentore.
Ministria thekson se disa mangësi mund të shfaqen gjatë përdorimit të objektit, por probleme të caktuara mund të shkaktohen edhe nga sjellja e papërgjegjshme e personave që e shfrytëzojnë atë.

