Një skenë e paprecedentë ndodhi publikisht në Zhelinë, ku kryetari i Komunës u përul përpara kamerave, përpara gjithë opinionit, në një akt që u perceptua gjerësisht si nënçmim dhe “disiplinim” politik nga ana e Kryeministrit aktual të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, transmeton Flaka. Kjo ngjarje, për shumë qytetarë dhe analistë, nuk ishte rastësi – por pjesë e një strategjie të qartë të dominimit monoetnik në institucionet shtetërore.
Kritikat ndaj qëndrimeve të Mickoskit ndaj shqiptarëve nuk janë të reja. Sjellja e tij është interpretuar në vazhdimësi si përçmuese ndaj komunitetit shqiptar, gjë që këtë herë u bë hapur, në skenë publike. Zhvillimi në Zhelinë shihet si konfirmim i premtimeve të tij parazgjedhore për “t’u treguar vendin shqiptarëve” – një diskurs që thellon ndasitë etnike dhe minon bashkëjetesën demokratike.
Ky akt nuk është i izoluar. Pas shfuqizimit të mekanizmit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, proceset e punësimeve në administratën shtetërore janë zhvilluar në mënyrë diskriminuese, ku shqiptarët janë lënë jashtë çdo avancimi institucional. Kjo padrejtësi sistemike, e shoqëruar me heshtje institucionale, ka krijuar një precedent të rrezikshëm të qeverisjes me logjikën e shumicës absolute dhe përjashtimit të tjetrit.
Ngjarja në Zhelinë nuk ishte thjesht një akt personal. Ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj decentralizimit kushtetues, një nga arritjet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit dhe një garanci për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në nivel lokal. Kryetari i komunës është i zgjedhur nga qytetarët dhe nuk guxon të bëhet objekt i “disiplinimit” politik nga pushteti qendror.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është heshtja e klasës politike shqiptare, e cila, me pasivitetin e saj, po legjitimon fyerje dhe nënçmime të vazhdueshme ndaj komunitetit që përfaqëson.
Shqiptarët nuk e meritojnë këtë trajtim. Demokracia nuk përkufizohet me heshtje, por me qëndrim. Dhe është momenti që ky qëndrim të jetë i qartë, i drejtë dhe dinjitoz. Flaka