NJË ARRITJE E RËNDËSISHME PËR BASHKËSINË FETARE ISLAME

Pas shumë vitesh përpjekje, angazhim dhe përkushtim institucional, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka arritur të sigurojë lejen për ndërtimin e Objektit të ri Administrativ në pronën e saj, në afërsi të Kalasë së Shkupit.
Angazhimi i vazhdueshëm i Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i përkrahur maksimalisht nga Myftitë me Myftinitë e tyre, të gjitha organet e saja, Fakulteti i Shkencave islame, Medreseja Isa Beu, stafi i Rijasetit, imamët dhe besimtarët të cilët me përkushtim, përgjegjësi dhe këmbëngulje ndër vite kanë punuar për realizimin e këtij synimi.
Koha moderne kërkon infrastrukturë moderne, kushte bashkëkohore pune dhe shërbime institucionale që u përgjigjen nevojave të kohës. Në këtë frymë, objekti i ri administrativ do të jetë një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të kapaciteteve institucionale të BFI-së. Ai do të ofrojë hapësira të përshtatshme për drejtoritë dhe njësitë tjera administrative, duke ndërthurur arkitekturën bashkëkohore me funksionalitetin, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve.
Duke qenë se kjo e arritur është rezultat i një angazhimi, ndiejmë obligim institucional dhe moral që të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjithë ata që kontribuan në këtë proces, në periudha dhe rrethana të ndryshme.
Në veçanti, shprehim mirënjohjen tonë për angazhimin dhe përpjekjet e bëra që nga koha e ish-Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, si dhe për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qytetin e Shkupit, Komunën Qendër, për konstruktivitetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Një falënderim i veçantë u drejtohet edhe përfaqësuesve të koalicionit shqiptar në pushtet VLEN, për angazhimin, mbështetjen dhe kontributin e tyre në avancimin dhe realizimin e këtij synimi madhor.
Kjo arritje nuk duhet parë vetëm si realizim i një projekti ndërtimor apo si ngritja e një objekti të ri administrativ. Ajo përfaqëson një investim në të ardhmen institucionale, në forcimin e kapaciteteve organizative dhe në përmirësimin e shërbimeve që Bashkësia Fetare Islame u ofron besimtarëve dhe shoqërisë në përgjithësi.
Objekti i ri Administrativ do të jetë pronë dhe pasuri institucionale e të gjithëve, një shtëpi e përbashkët për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, një hapësirë që do t’u shërbejë të gjitha strukturave të Bashkësisë Fetare Islame dhe do të mbetet trashëgimi e përbashkët e institucionit tonë.
Ky është një hap drejt të ardhmes, një rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe një dëshmi se angazhimi i vazhdueshëm, kur mbështetet në vullnet dhe bashkëpunim, mund të shndërrohet në vepër konkrete.
Njëherit njoftojmë besimtarët dhe opinionin e gjërë se po punohet me vigjilencë për hudhjen e gurit themeltarë të:
1. Ndertesës administrative të Bashkësisë Fetare Islame në RMV;
2. Sallës sportive në SHAM ” Medreseja Isa Beu” në Kondovë- Komuna Saraj – Shkup
Na priftë ndihma e Zotit të Madhrishëm
Urime dhe suksese
Kryetari I BFI-SË NË RMV
Reisul Ulema Hfz.H. Shaqir ef. FETAI

