Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit Gjoko Ristov, në një rast ku në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë janë gjetur rreth 350.000 euro të fshehura në mur.
Sipas prokurorisë, hetimi ka nisur pas një procedure paraprake ndaj një avokati, i cili ka pranuar fajësinë se ka marrë para për të ndërmjetësuar dhe ndikuar në vendimin e një gjyqtari të apelit lidhur me një rast paraburgimi. Ai tashmë është dënuar me marrëveshje me një vit e tre muaj burg.
Edhe pse një pjesë e parave nuk kanë arritur te gjyqtari, gjatë një kontrolli në janar 2026 janë gjetur shuma të mëdha parash në 13 paketime, të fshehura me kujdes në një hapësirë muri. Prokuroria thekson se gjyqtari nuk i ka deklaruar këto mjete dhe se ato tejkalojnë ndjeshëm të ardhurat e tij të ligjshme.
Ekziston dyshimi për vepra penale që lidhen me përfitim të kundërligjshëm të pasurisë dhe pastrim parash, ndërsa prokuroria pretendon se ka siguruar prova të forta që dëshmojnë pronësinë e parave.
Procedura vazhdon për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të hetuar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.

