
Kryetari i Komunës, Muhamet Elmazi, së bashku me zëvendësministrin Albrim Hoxha, kanë vizituar nga afër punimet që po zhvillohen në kuadër të projektit për ndërtimin, rikonstruksionin dhe modernizimin e sistemit të ujitjes në zonën Shishovë – Gërçec – Krushopek.

Bëhet fjalë për një projekt me rëndësi të veçantë për sektorin e bujqësisë, i cili përfshin rreth 125 hektarë tokë bujqësore. Me realizimin e tij, fermerëve të kësaj zone do t’u mundësohet shfrytëzim më i mirë, më i sigurt dhe më efikas i ujit nga lumi Treska, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e prodhimit bujqësor.
Nga komuna theksojnë se investime të tilla mbeten prioritet, me fokus përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe ofrimin e mbështetjes konkrete për fermerët lokalë, me qëllim rritjen e rendimenteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.

