Një prej vendimeve të para të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, është ngrirja e ndihmës ndërkombëtare. Kjo vlen për një afat prej 90 ditësh dhe nënkupton pezullim të përkohshëm të financimit të programeve nga Shtetet e Bashkuara.
Financat e SHBA-së shkojnë edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës, apo atë që njihet si Gjykata Speciale e cila heton krimet e pretenduara të luftës.
Në këtë institucion që selinë e ka në Hagë të Holandës, gjykatësit, prokurorët dhe i gjithë stafi janë nga vendet e Bashkimit Evropian apo shtete të treta.
Financuesi kryesor i Speciales është BE-ja por aty kontribuojnë edhe shtete të treta: Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Kanadaja, Norvegjia dhe Turqia.
Shtetet e Bashkuara japin kontributin e tyre duke financuar punonjës të emëruar nga ta.
Në Gjykatën Speciale nuk kanë treguar nëse preken nga vendimi i fundit i presidentit amerikan, marrë parasysh pjesën e stafit aty që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Veçse konfirmuan kontributin e SHBA-së përmes dërgimit të punonjësve.
“Zvicra ka kontribuar në Programin e Informimit të Dhomave të Specializuara që nga viti 2018, aktualisht me një grant mbi 137,000 euro. Norvegjia në atë kohë financoi rinovimin e ndërtesës së gjykatës. Kontributi i shteteve të tjera, përfshirë SHBA-në, ka të bëjë kryesisht me dërgimin e posteve të disa anëtarëve të stafit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për KosovaPress.
Bashkimi Evropian ka financuar buxhetin e Gjykatës Speciale me një shumë prej 97.1 milionë euro – bëhet e ditur në raportin vjetor të gjykatës për vitin 2023. Kjo përfshinë periudhën prej 15 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025.

