Mitingu i parë kundër shkronjave shqipe u mbajt në qendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup, më 2 shkurt 1910. Në organizimin e tij morën pjesë Sait Efendiu, deputet i Shkupit dhe nënshkrues i mesazhit pro alfabetit arab, Masar Beu, vali i Kosovës dhe djali i Mahmud Bedriut deputetit të Pejës, Arif Hiqmeti, i vënë plotësisht në shërbim të xhonturqve. Mitingu u mbajt në njërën nga xhamitë më të mëdha të Shkupit dhe për të u bë “një zhurmë e madhe”. Me gjithë angazhimin e autoriteteve xhonturke dhe të elementëve klerikalë e konservatorë, numri i pjesëmarrësve në të ishte mjaft i kufizuar dhe jo ashtu siç u përpoq ta paraqiste shtypi xhonturk, i cili e ngrente atë deri në “dhjetëmijë vetë”.
Atdhetarët e vërtetë – shkruante gazeta “Dielli” – s’morën pjesë në këtë marrëzi, po duke patur për kryetar Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën, qeshnin me të marrët, të cilët i bien murit me kokë dhe kërkojnë të qëndrojnë (ndalojnë) lumën”.
Mitingu i Shkupit arriti në përfundim se përdorimi i shkronjave latine për gjuhën shqipe ishte në kundërshtim me fenë dhe me interesat e islamizmit, të cilat duheshin mbrojtur. Ai deklaroi gjithashtu se deputeti shqiptar, Nexhip Draga, luftëtar i alfabetit kombëtar dhe i shkollës shqipe, i hiqej e drejta e përfaqësimit, sepse “kishte humbur besimin dhe ishte bërë tradhëtar”.¹
Ato ditë një atdhedashuri të zjarrtë dëshmuan nxënësit e shkollave shqipe dhe turke. Qendër rezistence bëhen sidomos shkolla normale dhe gjimnazi (idadia) e Shkupit. Nxënësit e këtyre shkollave i kundërshtonin masat, arritën të anulonin vendimet e administratës shtetërore dhe vazhduan mësimin e gjuhës shqipe me alfabetin latin. Edhe ithtari i flaktë i shkrimit të shqipes me alfabet arab, Arif Hiqmeti, siç shkruante shtypi shqiptar në mars të vitit 1910, u pendua për idenë që kishte dhe u deklarua publikisht se nuk do të merrej më me shkrimin e gjuhës shqipe.
Qëndresa e shqiptarëve të Shkupit, kundër reaksionit xhonturk, ashtu si vala e protestave, që shpërthyen në janar-mars 1910 në mbarë viset shqiptare, ishte një pjesë përbërëse e lëvizjes së përgjithshme të popullit shqiptar për çlirim kombëtar dhe paralajmërim i kryengritjes së vitit 1910.²

¹ Myzyri, Hysni. 1996. Arsimi Kombëtar Shqiptar, 1908-1912. Prishtinë: ADEA, f. 254.
² Halimi, Naim. 2011. Shkupi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, 1908- 1912. Në Kërkime Historike, Nr. 4. Shkup: SH.H.SH
M., f. 170.

