Shqiptarët janë kudo nëpër botë. Me muzikë, art e biznes ata po arrijnë të jenë të suksesshëm dhe t’ia zbardhin fytyrën tërë shqiptarisë, shkruan KultPlus.
Këngëtarja shqiptare që tashmë ka arritur famë ndërkombëtare Dua Lipa, fituese e disa çmimeve të rëndësishme, së fundmi është parë bashkë me familjen e saj në një restorant shqiptar në Amerikë.
Bëhet fjalë për restorantin e njohur “Çka ka qëllu”, i cili kohë më parë është futur në mesin e dhjetë restoranteve më të mira njujorkeze, aty serviret ushqim tradicional, që krijon një tablo shqiptare.

Është pronari Kukaj ai që e ka dhënë lajmin në rrjetin social Facebook, ku edhe i ka plasuar disa fotografi në të cilat shihet Dua Lipa, babai i saj Dukagjini dhe familja Lipa.
“Çka ka qëllu” është i mbushur me elemente shqiptare kudo në hapësirën e tij. Porsa hyn brenda të duket sikur je në ndonjë fshat kosovar duke shijuar bukën, e po deshe edhe ndonjë jogurt.
Pronari Ramiz Kukaj është shprehur i ngazëllyer dhe shumë mirënjohës me vizitën e yllit shqiptar.
“Foto e njerëzve më të mirë, e atyre që e dojnë dhe mburren me traditën, vendlindjen e kombin.
Thjeshtësia dhe fama shkojnë karshi te njerëzit e mirë e me vlera si Dua dhe Dukagjin Lipa.
Falemnderit pa fund për vizitën dhe mburrjen që na dhuroni”, ka shkruar Kukaj. /Derveni.info

