More

    Universiteti i Tetovës i promovoi apsolventët e gjeneratës 2016/17

    Rreth një mijë absolventë të gjeneratës 2016/2017, nga programe të ndyshme studimore të të gjithë fakulteteve të Universitetit të Tetovës, sot e festuan mbarimin e studimeve të tyre. Me këtë rast, Universiteti i Tetovës, në sheshin e Rektoratit, organizoi ceremoninë solemne të hedhjes së kapelave, manifestim ky që shënon një nga ngjarjet më mbresëlënëse në veprimtarinë arsimore dhe shkencore të UT-së. Apsolventët, së bashku me prindërit, familjarët, profesorët, udhëheqësinë e universitetit, kolegët dhe miqtë e tyre, pas rrugëtimit disa vjecarë të tyre, sot e festuan përfundimin e studimeve, duke e përmbushur me sukses ëndrrën e tyre për arsimim universitar.

    Ceremoninë e shpalli të hapur Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku. ,,Është një nder dhe privilegj i veçantë për mua, që ta shpall të hapur ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2016/2017, studentëve të mrekullueshëm të Universitetit të Tetovës, të cilët na e zbukurojnë këtë ditë të veçantë për të gjithë ne. Të dashur apsolventë, kështu siç ju shoh sot, të lumtur e të buzëqeshur, solemnë dhe me prindërit e familjarët përskaj, në kujtesën time po shfaqen në retrospektivë sekuencat filmike të së shkuarës time si student i këtij Universiteti, të cilat sa janë të këndshme aq janë të dhimbshme. Ne, gjenerata e parë dhe të tjerat me radhë, deri në zyrtarizimin e universitetit, e patëm fatin e keq që t’i përjetojmë të gjitha turbullirat politike të fillimit të pluralizmit, të shoqëruara me represion shtetëror, marrje në pyetje nga ana e policisë, përballja me dilemën hamletiane ,,të jesh, apo të mos jesh”, kushtet e vështira infrastrukturore, studimi në kapsullë, pa mos dalë edhe një ditë të vetme, vetëm për të parë një universitet evropian, dhe kështu me radhë, kurse gjenerata e juaj, jo vetëm që nuk i ka përjetuar këto, por keni qenë partnerë në bashkëndërtim të Universitetit, keni pasur kushte të shkëlqyera infrastrukturore, e keni gëzuar lirinë e shprehjes, profesorët i keni pasur si prindërit tuaj, dhe më e rëndësishmja, që ne as që e kemi ëndërruar, po festoni me krenari dhe dinjitet ditën e diplomimit tuaj, në një atmosferë dhe performancë të shkëlqyer, së bashku me rektorin, prindërit, të afërmit, kolegët tuaj dhe figura të tjera të rëndësishme politike dhe shoqërore. Pavarësisht se për ju sot përfundon koha e studimeve, faza më e bukur e jetës tuaj, mos e ulni kokën, por ndjeheni tepër krenarë, sepse edhe shumë sfida më të rëndësishme ju presin në jetë. Ju jeni luanët e këtij populli, rrugëndërtuesit, përvijuesit e së ardhmes për të gjithë ne, shoqëria pret nga ju, përkushtojuni me mish e me shpirt profesionit tuaj, dilni faqebardhë, bëjini edhe prindërit faqebardhë, sepse ata edhe bukën e gojës e kanë ndarë për ju, për këtë ditë, bëjini edhe Universitetin faqebardhë, duajeni atë si gjënë më të shtrenjtë, sepse për këtë është derdhur gjak, është dhënë shumë mund, është bërë shumë sakrificë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të jetë shënjestër e qëllimeve makabre të askujt”, tha Prof. Dr. Arbër Çeliku.

    Ceremoninë e hedhjes së kapelave të apsolventëve të Universitetit të Tetovës me prezencën e tij e nderoi edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë.

    Ai, në emër të tij dhe institucionit që drejton shprehu mirënjohje për të gjithë ato që kanë kontribuar në mbështetjen dhe mbrojtjen e Universitetit të Tetovës, sipas tij ky institucion mbetet simboli i sakrificës së popullit shqiptar ndër vite. „Më lejoni që në emër të Parlamentit të RM-së, në emrin tim personal, në emër të të gjithë atyre deputetëve që edhe formalisht rumbullakësuan zyrtarizimin e këtij simboli kombëtar, tu përshëndes përzemërsisht duke u dëshiruar familjarëve jetë të gjatë, përkushtim edhe të mëtejmë, për ngritjen dhe sendërtimin tuaj intelektual, për faktin që procesi i ngritjes suaj akademike nuk mbaron me ketë ditë. Me këtë ditë Ju keni mbaruar vetëm se obligimet ndaj profesorëve, por sfidat tuaja sot e tutje po zhvillohen dhe hapen në jetën tuaj të mëtutjeshme. Jeni njëra nga gjeneratat që do të mbartni mbi supe gjithë aktivitetin shoqëror, politik dhe ekonomik të vendit dhe të popullit tonë. Sot, jemi këtu, jo thjeshtë para një godine si objekt material, këtu sot jemi mbledhur para simbolit të sakrificës së popullit shqiptar ndër vite, ndër gjenerata, për të mundur të rumbullaksojmë nevojën e kamotshme për arsimim në gjuhën amtare. Është simbol për faktin që është ngritur jo vetëm nga betoni, por themelet i ka mbi gjakun e gjithë atyre që dhanë për popullin dhe për kombin tonë. Është institucion i cili është i hapur për të gjithë ata që kanë dëshirë të studiojnë në këtë universitet, dikur, siç tha edhe prorektori, u shpall foshnje e vdekur, e sapolindur, mirëpo sot, Universiteti i Tetovës është ngritur në një familje të madhe e cila me këtë numër dhe ndër gjenerata vetëm se po shtohet. Andaj, më lejoni për fund, studentë të dashur, t’u dëshiroj suksese të mëtejme në punën tuaj, në jetën tuaj dhe së pari shëndet dhe lumturi në familjet tuaja, të cilët janë mbështetësit kryesorë për arritjet tuaja deri këtu dhe për synimet tuaja në të ardhmen“, theksoi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

    Kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Donika Kamberi, tha se asnjëri nga studentët e këtij universiteti, asnjëherë nuk mund të harrojë këtë vepër gjigante të kombit shqiptar, ku gjenerata e gjenerata janë pajisur me dije. „Para 23 viteve, arsimdashësit tanë lindën në këtë shtet, një universitet dhe sot kur shohim përreth, çdo gjë ka reflektim, ky universitet arriti ta gdhendë vetëdijen tonë kolektive, mbase publiku i sotëm është i të gjitha moshave. Ju kisha lutur të ktheheni në retrospektivë dhe t’ia bënit vetes pyetjen: Çka do të ndodhte në qoftë se nuk do ta kishim Universitetin e Tetovës? Unë kam një përgjigje të sinqertë. Të gjithë ne do të ishim shërbetorë të së keqes, të humbur në cunamin e mosdijes. Të nderuar të pranishëm, unë pak a shumë arrita të përcjell tek ju një fotografi se si do të dukeshin jetët tona pa këtë Universitet, dhe e pashë që ju e pohuat me po, andaj të jemi falënderues dhe mirënjohës themeluesve dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof.Dr. Fadil Sulejmanit dhe të gjithë udhëheqësve të mëpasmë, të cilët punojnë me dinjitet dhe vullnet të mirë. Ju, padyshim që nuk do ta mbani mend se çfarë thash unë këtu, por ju nuk mund ta harroni veprën gjigante që keni para jush. E gjithë jeta është kauzë, por unë personalisht kauzën time e kam lidhur për UT-në.

    Jo rastësisht edhe motja ime ishte “1 kauzë, një e ardhme”, që nuk është shkruar, por të gjithë bashkë jemi në procesin e shkrimit të saj dhe 1 UT, pa dyshim është 1 dhe e para, bërthama e kombit, mbrojtësja më e mirë. Andaj, të nderuar studentë, përderisa jemi gjallë dhe frymojmë, na takon të gjithëve ta mbrojmë nga çdo sulm dhe t’i përkushtohemi me devotshmëri detyrës së madhe që na pret përpara“, nënvizoi Kryetarja e Parlamentit Studentor të UT-së, Donika Kamberi.

    Në këtë ceremoni, në emër të apsoleventëve të gjeneratës 2016/17, të pranishmëve me fjalë përshëndetëse ju drejtua absolventi më i dalluar i kësaj gjenerate, Andi Sadullai, studenti i cili për katër vite studimet i ka ndjekur në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. „Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë që sot të ju drejtohem në këtë ditë të kremtimit të përmbylljes me sukses të këtij rrugëtimi. Rrugëtim plot përpjekje dhe punë e palodhshme e të gjithë neve. Sot, së bashku gëzojmë përfundimin e një sfide nga më të rëndësishmet në jetët tona. Ky rrugëtim ka qenë sa sfidues aq edhe motivues për të gjithë ne, por mbi të gjitha një përvojë jetësore që na ka përgatitur për sfidat e radhës. Çdo sukses në jetë rezulton nga puna e palodhshme dhe guximi për të sfiduar vetëveten, por i cili është i pamundur pa përkrahjen e njërëzve më të dashur. Para së gjithash falenderoj familjen time të mrekullueshme për sakrificat, përkrahjen e parezervë, për udhëzimin në rrugën e dijes dhe durimin e dashurinë për të më motivuar edhe në momentet më të vështira. Në të njejtën kohë, jam i sigurt që të gjithë ju prindër e familjarë që sot jeni këtu, keni dhënë dhe po jepni gjithçka nga vetja në përkrahje të pasardhësve tuaj në rrugën e ndritur të dijes. Për këtë nuk mundemi të ju falënderohemi mjaftueshëm”, deklaroi absolventi ekselent, Andi Sadullai.

    Apsolventëve pjesëmarrës në këtë manifestim madhështor ju ndanë edhe Certifikata nga ana e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili pas dorëzimit të tyre, absolventëve dhe familjarëve të tyre ju drejtua me fjalë përshëndetëse. Ai tha se, Universiteti i Tetovës, që në ditën e parë të themelimit, synim parësor e ka pasur vetëdijesimin, arsimimin, emancipimin dhe progresin shoqëror. ,,Universitetet janë promotorët kryesorë të shoqërisë. Ata e ndikojnë zhvillimin e saj, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë shpirtëror. E vetëdijesojnë popullatën për rëndësinë e shkollimit, e orientojnë atë në rrugën e kombit dhe të Zotit dhe i formësojnë gjeneratat e reja për një të ardhme më të mirë, që të jenë të zotët e vetvetes, ta duan paqen dhe lirinë. Universiteti i Tetovës, që në ditën e parë të themelimit, synim parësor të vetin e ka pasur pikërisht këtë: vetëdijesimin, arsimimin, emancipimin dhe progresin shoqëror. Megjithatë, kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë, as atëherë dhe as sot. Madje, kur kërkohet përkushtimi shoqëror, plotësimi i amanetit të kësaj popullate, gjakut të derdhur, sakrificës kolektive, asnjë ditë nuk është e lehtë, sepse mbi kurrizin tonë rëndon pesha historike e së shkuarës, angazhimi permanent i së tashmes dhe përvijimi i së ardhmes.

    Të ngritësh një universitet nga asgjëja, ta ndërtosh dhe ta bësh konkurrent atë në vend, rajon e më gjerë, ia dalin vetëm popujt guximtarë. Dhe i tillë qe populli shqiptar, shembulli më i mirë i dashurisë për dije, shkollim dhe emancipim. Dhe çfarë do të isha unë si rektor i këtij Universiteti, po të mos jetoja kaq vite me këtë ideal? Çfarë do të ishin gjithë këta profesorë? Këta intelektualë?

    Asgjë tjetër, përpos hije të zbrazëta të kohës, figura të vagullëta në hapësirë, njerëz pa emër dhe mbiemër. Të gjithë ne bashkërisht përvijuam platformën e sendërtimit të Universitetit, krijuam kushte të kënaqshme infrastrukturore, të domosdoshme për një proces normal mësimor dhe shkencor, e rinovuam anëtarësimin në Asociacionin e Universiteteve Evropiane dhe në Konzorciumin e Magna Kartës, të bllokuar si pasojë e zhvillimeve jo të këndshme në faza të ndryshme të historisë së Universitetit, i dhamë kahje të mbarë procesit të ndërkombëtarizimit, krijuam një rrjet partnerësh universitarë nga vendet më të zhvilluara të Evropës dhe SHBA-ve, themeluam revistat ndërkombëtare në çdo fakultet veç e veç, organizuam konferenca, kongrese, simpoziume, debate, ligjërata me profesorë nga e mbarë bota, kurrikulat klasike mësimore i përmirësuam, duke marrë për bazë praktikat më të mira ndërkombëtare, rimodeluam shkollën e magjistraturës në përputhje me Deklaratën e Bolonjës dhe, për herë të parë në historinë e universitetit, i akredituam studimet e doktoraturës”, tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai, gjithashtu u shpreh se ,,për një kohë të shkurtër, në saje të angazhimit kolektiv, i lokalizuam dhe më pas, hap pas hapi i shëruam disa plagë të kamotshme të Universitetit, duke marrë për bazë meritokracinë dhe vlerën individuale arsimore dhe shkencore të gjithsecilit dhe duke promovuar lirinë akademike dhe autonominë universitare, ia arritëm që ta thyejmë mitin tradicional të funksionimit të administratës universitare, ku studentët nuk duhet të presin me vite për marrjen e diplomës së tyre të merituar, apo të mos kenë qasje te profesori, dekani dhe rektori. Njëherë e përgjithmonë, të gjithë duhet ta kuptojnë se strumbullari i shoqërisë tonë është studenti, rinia, gjaku që vjen. Të nderuar apsolventë, fokusi im, i mbarë stafit akademik dhe administrativ-teknik, ka qenë përmirësimi i kushteve, lehtësimi i nevojave tuaja, hapja e shtigjeve, avancimi juaj në studime dhe përkrahja e pakursyer për çdo problem që mund të keni hasur. Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar financiare të shumë familjeve tona, fëmijët e dëshmorëve, invalidët e luftës, jetimët dhe skamnorët, ne, për çdo semestër dhe vit akademik kemi kursyer nga vetja dhe, me vendim të veçantë, i kemi liruar ata nga pagesa, vetëm e vetëm që këto shtresa të shoqërisë të mund të shkollohen dhe integrohen plotësisht në shoqëri. Këtu e katër vjet më parë, ideuam programin e ekselentëve, duke u ndarë bursa studimore tri kategorive të studentëve: lirim nga pagesa për studentët, të cilët vitin akademik do ta mbyllin me mesatare të përgjithshme të notave mbi 9.50, studime falas në ciklin e dytë të magjistraturës për studentët, të cilët do t’i përfundojnë studimet themelore me mesatare të përgjithshme të notave 9.80 dhe studime jashtë vendit, me mbulim të plotë të studimeve nga buxheti i Universitetit të Tetovës, për studentët, të cilët do t’i përfundojnë studimet me mesatare të përgjithshme të notave 10.00.

    Deri më sot kanë përfituar rreth 1000 studentë të të tria kategorive dhe këtë trend do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen, që të mund të jemi sa më pranë fëmijëve tanë dhe të kontribuojmë në profesionalizimin e tyre. Mbase një numër i konsiderueshëm i juaji, që sot qëndroni prore përpara Universitetit tuaj, me kokën lartë, keni marrë pjesë në kuadër të këmbimit ndërkombëtar studentor Erasmus plus, ku Universiteti ynë delegon rreth 30 studentë për çdo semestër nëpër universitet më prestigjioze të Evropës, në Gjermani, Austri, Itali, Poloni, Çeki, Turqi, Hungari, etj., dhe me vete sillni edhe përvoja ndërkombëtare dhe korpuse vlerash dhe përvojash të ndryshme kulturore”, u shpreh Rektori Prof. Dr.Vullnet Ameti. Po ashtu, Rektori Prof.Dr. Vullnet Ameti, në përmbyllje të fjalës së tij i falënderoi të gjithë apsolventët dhe prindërit e tyre, që i kanë mbështetur ata gjatë studimeve, dhe njëherit përpara tyre u zotua se asnjë forcë nuk do të mund ta ndaloj atë në këtë mision fisnik. ,,Universiteti ynë, në të kaluarën, për arsye të problemeve me të cilat është përballur, nuk ka mundur të organizojë ceremoni të tilla të diplomimit, të domosdoshme për ndjesinë studentore, por në vitin 2013 u poqën kushtet dhe ju jeni gjenerata e pestë, që e përjetoni këtë ngjarje kaq të rëndësishme për Ju, familjet tuaja dhe për të gjithë ne. Këtë vit, përpara jush kemi apsolventë të profileve të ndryshme, si: mjekë, inxhinierë, historianë, pedagogë, psikologë, juristë, ekonomistë, gjuhëtarë, të cilët së bashku me prindërit, familjarët dhe profesorët e tyre festojnë për suksesin e arritur me mund dhe sakrifica. Falënderimet e mia janë gjëja më e paktë që mund të them unë tani për prindërit, profesorët, fondacionet, donatorët e ndryshëm, megjithatë, unë në emër të Universitetit të Tetovës u shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë juve që kontribuuat pa kursim në funksionimin e Universitetit dhe shkollimin e bijve dhe bijave tuaja. Për fund, them se e gjithë kjo çfarë kemi bërë bashkërisht, është pak. As edhe një çast të vetëm nuk duhet të ndalojmë së vepruari, që populli ynë i përvuajtur ta shijojë nevojën e arsimit, lirisë dhe demokracisë. Dhe unë sot, këtu përpara jush, publikisht zotohem, se nuk do të ketë forcë mbi këtë dhe, që do të mund të më ndalojë në këtë mision fisnik, për më tepër, kur tashmë kemi edhe një qeveri të re, e cila e kupton më së miri domosdoshmërinë e arsimit, kulturës dhe vlerave evropiane. Të nderuar apsolventë, Ju sot përmbyllni një segment të rëndësishëm të jetës tuaj dhe, mbase mund të ndjeheni keq, që shkëputeni nga universiteti i juaj, aty ku katër vjet i përjetuat drithërimat dhe gëzimet e jetës tuaj rinore, megjithatë, ne tashmë kemi krijuar rrjetin e Alumnive të Universitetit të Tetovës, për t’jua mbajtur gjallë ndjesinë tuaj, por edhe bashkërisht të kontribuojmë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të Universitetit. Universiteti i Tetovës është shtëpia juaj, dyert e tij janë të hapura gjithmonë për ju, prandaj kurrë mos ngurroni të na vizitoni. Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës! Zoti ju bekoftë juve, familjet tuaja dhe mbarë popullin shqiptar!”, shtoi mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ceremonia festive e apsolventëve përfundoi me hedhjen e kapelave, e shoqëruar me programin artistik të përgatitur nga profesorët e Fakultetit të Arteve, si: Selami Kolonja, Bajramali Idrizi dhe Kori i Universitetit të Tetovës.

    - Marketing -Ajsel Medica

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    spot_img

    Të fundit

    “Do t’ua presim kokën”, kërcënohen me jetë, deputetët e BDI-së (FOTO)

    Deputetët aktual të Kuvendit të Maqedonisë që përbëjnë pjesën kryesore të opozitës shqiptare janë kërcënuar me jetë. Kërcënimi është dërguar...

    Kufizohet balancuesi, më shumë maqedonas e më pak shqiptarë në administrat

    Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, ka njoftuar se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjetit për punësim sipas përkatësisë...

    Bexheti thotë Gashi nuk respekton dygjuhësinë dhe orarin: Jep dorëheqje dhe mos u nënshtroni aq sa ata nuk mund të ju shtypin më

    Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti ka drejtuar një sërë kritikash ndaj kreu të Kuvendit, Afrim Gashi, përcjell TV21. Bexheti...

    Policia në çdo cep të Shkupit, kontrolle të rrepta

    Dje (25.07.2024) në periudhën prej orës 18:00 deri në ora 00:00, zyrtarët policorë nga SPB Shkup kanë vazhduar me...