More

    Rashçja në mes legjendave dhe hapërimit në kohë

    Po e çelim muhabetin me një vjershë që e shkrova në sobën e burrave të fshatit:

    RASHÇE MOJ RASHÇE

    Rashçe, moj Rashçe
    Me kodra e rrafshe
    Burime e përroje
    Me emër n’ k’to Troje.
    Me ëndje gërsheton
    Të vjetrën me të renë
    Bashkë të frymojnë
    Bashkë t’marrin dhenë…
    Me ngulm po kultivon
    Traditat e lashta,
    Kokëlartë përballë
    Kohërave ndeshtrasha…
    Ngadalë, por, sigurt
    Pun’t i vë n’dyzen,
    Me mund e gjakim-
    Shembull në Derven.

     

     

    I fshehur në mes pllajave të buta të malit të Thatë, me grumbuj shtëpish me kulme të kuqërremta që prekin bardhësitë dhe horizontet rrezelluese, të duket se rend nga thellësia e shekujve të nakatosur me mite e legjenda të stërmoçme, për të mbërritur deri në ditët e sotme me plotë dritëhije, dhe, i cili ruan në gjirin e vet zhbëmat dhe të bëmat herë-herë “brafulluese” – në rrathë kohe. Gjeta “qemallin” dhe iu qasa për së afërmi në odën e destinuar- mikpritëse, me rapsodë eminentë, për t’ia dëgjuar psherëtimën e përligjur me plotë rrëfime e krajata, duke më sugjeruar se “kryesorja në këtë botë nuk është se si kemi qenë dhe se ku qëndrojmë, por se në ç’drejtim shkojmë”. E, edhe pse të duket se Rashça nëpër rrathë kohe ec me hapa të ngadalshëm, ky fshat nuk e humb nga sytë qëllimin, sepse bën hapin e matur drejt së ardhmes dhe se nuk po bredh kuturu. E, ky ritëm i të ecurit, të mbush me shpresë dhe bën krenar çdo banor të tij, por edhe çdo vizitor apo mysafir i cili e akcepton me dashamirësi.

    Që në fillim të shkrimit tim, fjalën do t’ua lë këtyre banorëve shumë të zellshëm, që të duket se çdo kush i ka vënë qëllimin e caktuar jetës edhe pse ka ndodhur që shpesh edhe të “pengohen” në rrugëtimin e gjatë ndër shekuj. Por, dështimi nuk është turp, siç thotë Louell, për të vazhduar: Turp është t’i vësh vetes qëllime jashtë mundësive tua. Prandaj, edhe rashçanët, me të drejtë, plotësojnë: “…Qëllimet për arritjen e të cilit kërkohen mjete jo të drejta, nuk janë qëllime të drejta…” Ne jemi këtu, ashtu siç kanë qenë të parët tanë, gjyshërit e stërgjyshërit tanë në këto vise të moçme, që s’dihet se sa. Ne punojmë këtu, ashtu siç kanë punuar të pararendësit tanë, me djersë, drejtësi e maturi…

    Përgjigje nga dora e parë

    Në kurreshtjen time për domethënien apo kuptimin e emërtimit të fshatit me emrin: R a sh ç e, banorët e këtij vendbanimi thonë se, ky emër vjen nga fjala Rashça(e) që do të thotë: vend minierë, pasi ky fshat e ka afër minierën e Radushës dhe ka të bëjë me një vendbanim të zonës minerale. Andej gjeneza e kësaj fjale; Raçe, Raçja duhet të kërkohet te fjala Rafsh-(ça). Pleqtë e moshuar thonin se emri Raçe e ka marrë emrin nga se ka konfiguracion të rrafshtë e, të parët e tyre e kanë quajtur Rafsh, Rash; më vonë kanë krijuar shumësin Rrashça, Rashçe, Raçe.

    Në bazë të regjistrimit të v.2002, ky vendbanim që i përket komunës së Sarajit ka 2697 banorë, edhe atë 2697 shqiptarë dhe 20 maqedonë. Nga regjistrimi i v. 1994 ka patur 436 (?) shtëpi.

    Ky katund gjendet në veri të Dërvendit, rreth 18 kilometra larg Shkupit apo 20 km. nga Qendra. Kufizohet me: Radushën, Sfillaren e Epër, Sfillaren e Poshtme, Kondovën, Sarajin, Gllumovën, Arnaqinën dhe Kopanicën. Nga viti 1996 me ujë për pije furnizohet nga burimi kryesor, Duflla, nga i cili merr ujë i tërë Shkupi. “Duflla” gjendet në veriperëndim të fshatit, me të cilin identifikohet edhe vet ky vendbanim, bile, në vitin 2016 me këtë emër e emërtojnë edhe shoqërinë kulturo-artistike, pra SH.K.A. “Duflla”, e cila na nxiti që ta vizitojmë Rashçen një ditë të bukur plot diell e mbarësi (04.11.2017- dita e diel).

    Fshati ka xhami të re të ndërtuar më 1994 – mbi themelet e xhamisë së Vjetër e cila, sipas historianit (banor i fshatit), Besnik Rameti, ka qenë e themeluar më 1492.Ka shkollë fillore nëntëvjeçare me emrin “Drita” me rreth 400 nxënës. Mësimi në gjuhën shqipe fillon drejt pas L.II.B., përkatësisht nga viti 1945. Ka ambullantë shëndetësore, Shtëpi kulture (Dom), që daton nga koha e sistemit monist, madje edhe fushë sporti. Ndahet në dy mëhallë: Mëhalla e Epër dhe mëhalla e Poshtme.

    Toponimia e fshatit

    Ka një toponimi të begatë dhe që, shumica mbajnë timbrin e pastër në gjuhën burimore shqipe: Proj Lik-Poma, Proj Cerit, Proj i Madh, Proj Memos, Proj Dedës, Proj Medenejkit, Proj Tërskës, Proj Selishtes, Proj Vitelit, Duflla (Vrella), Shullejt, Gjuri Vjer (Vjerët), Maj Radushë, Poshterka, Fush’e Përteme (përtejme), Hurdha, Kodr’e Alimit, Dushk’, Rrafsh’e Dushkit, Ndër Ramone, Kurita, Lubini Vogël, Lubin’i Madh, Udh’e Verb’t (qore) ku ka kaluar rruga e vjetër antike: Via Ignatia, Te Kisha, Llajka (luginë e Vardarit), Juria e Poshtme, Juria e Epër, Matën Vardarit, Kalldrëme, Gjuri Shipes, Çeshm’e Gllumovës, Vilibreg, Ndër Stafe, Rafsh’e Memishit, Te Vori Selimit, Te Kodra polakit, Te Xhamëja Epër, Te Xhamëj’ e Poshtme, Te domi, Te Shkolla, Te Ambullënta, etj.

    Fiset dhe brezat

    Fiset që e përbëjnë këtë vendbanim, sipas rrëfimit të pleqve të fshatit, janë: Kovaçe, Bakie, Haxhie, Hoxha, Stafët, Gjurece, Poliku, Hote, Berish’, Krosi, Shtrajku, Sefa, Ramete. Për shembull, për familjen, R a m e t e, në vazhdim po paraqesim këtë skemë brezash, ashtu si tregon Besnik Rameti (34 vj.): 1.BESNIK—2.FARI (63 VJ.)—3.SHABAN—4.EJUP—5.SHABAN—6.ALI—7.MUSA—8.BRAHIM—9.META—10.RAMA—11.LIKA (LIK-POMA). Ndërsa brezat e familjes Krosi:1.REFIK—2.AVDI—3.XHEMSHIT—4.ALI—5.HAJRULLAH—6.SINAN—7.RAMADAN-8.SELMAN (MON) të riardhur nga MOLLA E KUQE, ku një vëlla ngel në Gostivar, një në Arnaqi, një në Raçe dhe një në Gërçec.

    Në sinorin e Raçes ka dy tuma ilire të dallueshme për nga konfiguracioni i tokës, të cilat “duhet të eksplorohen” dhe arkeologjia të jep fjalën e saj të paanësisë. Përveç kësaj, këtu haset edhe mikrotoponimi Dona Duka(shpellë). Ky emër të përkujton tempullin e Dodonës të shekullit IV p.e.s. …

    Disa figura emblematike

    …Në këtë plejadë të shkëlqyer burrash rashçanë, natyrisht vendin e vet të merituar ka Xhemshid Krosi, fetari që tok me paqen e Zotit predikoi kurdoherë mirësinë e gërmave të gjuhës së bukur shqipe. Vend të veçantë këtu zë, sidomos figura e Dr. Ibrahim Krosit-fokloristit mjaft produktiv jo vetëm të Dervenit, por edhe mbarë trojeve etnike shqiptare. Vend të merituar, këtu në këtë mjedis zë edhe koleksionisti pasionant, Refik Krosi (lindur më 1964), i cili posedon edhe një muze të vogël, por të pajisur me artefakte dhe materiale të shumta nga arkeologjia, folklori dhe antikitete.

    Rashça ka edhe shumë e shumë personalitete të tjera që meritojnë vend të veçantë në historikun e këtij vendbanimi, por, për këtë duhet ndërtimi i një monografie inkluzive, ku do të përfshihej e gjithë historia e saj e bujshme dhe figurat emblematike, toponomistika dhe gjeografia e saj, etnografia dhe folklori, e kështu të ngjajshme. Por, jemi të vetëdijshëm se nga resurset intelektuale që posedon fshati, me kuadro të shquara me potencial të cilësuar kulturor, por edhe me rininë shumë aktive e të edukuar, ky fakt nuk do të neglizhohet.

     

    Për fund – një vjershë që ua kam kushtuar rapsodëve të këtij vendbanimi, por edhe të mbarë Dervenit në përgjithësi, sidomos edhe të atyre të Bojanës, Sfillares, Paniçarit, Arnaqinës etj., të cilët na bënë “zefk e muhabet” në Odën bujare të familjes: Rameti, derisa e përgatitëm këtë shkrim:

    RASHÇE
    (RAPSODËVE TË DERVENIT)

    Vrushkuj ndjenjash të mbërthejnë
    n’mes prehjes e paqës,
    Kur t’bjen rasti që të ndodhesh
    N’mes rapsod’ve t’ Rashçës…

    Atmosferë impozante-
    n’Odat e Kuven’it
    Të kthejn’ mbrapa në histori
    Rapsod’t e Derven’it.

    - Marketing -Ajsel Medica

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    spot_img

    Të fundit

    Murtezani: Ne nuk e kërcënojmë partnerin e koalicionit! S’kam thënë që do të dalim nga qeveria nëse deri në fund të vitit nuk bëhen...

    Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani duke u përgjigjur në pyetjet e Goran Misovskit nga LSDM në seancën për...

    BDI: Të anulohet vendimi i 9 tetorit – për shqiptarët nuk mund të vendoset pa shqiptarët!

    VENDIMET E GJYKATËS KUSHTETUESE Mendimi i ndarë i dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të përkatësisë etnike shqiptare, Dr. Osman Kadriu...

    Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda në Gjavatë dhe në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit

    Prej sot në orën 7:00 vendoset ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese në qafën malore Gjavatë, njoftoi...

    Pa rrymë një pjesë e shfrytëzuesve të komunës së Sarajit, Butelit dhe Gjorçe Petrovit

    Nga EVN Maqedoni SHA informojnë se sot pa energji elektrike do të mbetet një pjesë e shfrytëzuesve të komunës...