Gjykata e Apelit ka shfuqizuar aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Besa Trans” dhe rasti është kthyer në rigjykim. Të pyetur nga TV SHENJA, nga Gjykata e Apelit konfirmuan se janë pranuar ankesat e të akuzuarve dhe lënda është kthyer në rigjykim.
GJYKATA E APELIT
“Ankesat janë pranuar dhe aktgjykimi në bazë të ankesave dhe në bazë të detyrës zyrtare është anuluar dhe lënda është kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, duke treguar se cilat shkelje të procedurës penale janë konstatuar dhe si duhet të eliminohen ato shkelje”.
Në mars të këtij viti Gjykata Penale në Shkup e dënoi pronarin e Besa Transit, Bekim Haxhiu me një vit e tetë muaj burg dhe gjobë prej 800.000 denarëve për rastin i cili referohej për veprën e zgjatur të “falsifikimit të dokumentit” si dhe ndalimin katërvjeçar të transportit ndërkombëtar të personit juridik.
Pronari i Besa Transit, Bekim Haxhiu do të gjykohet në proces të ri lidhur me licencën false të kompanisë së tij të transportit, pasi Gjykata e Apelit pranoi ankesat e të pandehurve dhe anuloi vendimin e shkallës së parë. Sipas aktakuzës së shkallës së parë, Haxhiu përmes vozitësve që drejtonin autobusin ka përdorur një certifikatë të rreme të patentës, e cila nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe lidhjeve.
Aksidenti ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/