Për të shtatëmbëdhjetën herë me radhë Forumi Rinor Islam organizoi manifestimin tradicional të Vitit të Ri islam Hixhri 1439 në Teatrin Kombëtar Maqedonas në Shkup.
Ky manifestim filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafiz Egzon Ibrahimi nga Kosova. Më pas të pranishmit duke iu uruar mirëseardhje i përshëndeti kryetari i Forumit Rinor Islam, zotëri Fisnik Shabani i cili mes tjerash tha: “Hixhreti është një kthesë e madhe në shoqëri, është një kthesë nga jeta pasive në atë aktive. Edhe koha që jetojmë në vendin tonë karakaterizohet me kohë të vështira, jostabilitet, probleme të shumta shoqërore, politike dhe ekonomike. Dhe kështu rinia që paraqet shpresën e popullit mbetet në shumë udhëkryqe. Mu nga kjo Forumi Rinor Islam ka fokusuar elanin e vet që të punojë me këtë shtresë të shoqërisë me qëllim që ta mbrojë, ta edukojë dhe ta forcojë për tu përballur me këto sfida.”
Forumi Rinor Islam në vazhdimësi promovon një nga qëllimet kryesore: stimulimin e diturisë dhe shkencës, nxënien e dijes. Kjo dëshmohet më së miri përmes dekorimit të nxënësve dhe studentëve më të dalluar. Nga shumë shkolla të mesme të qyteteve të Republikës së Maqedonisë u dekoruan nxënësit më të mirë. Poashtu u dekoruan edhe studentët më të dalluar të fakulteteve të ndryshme nga universitetet: Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Universiteti Shën Qirili dhe Metodi, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Europës Jug-lindore.
Si hafizi më i ri u dekorua 14 vjeçari hafiz Burak Iseni. Ndërkaq pas konkursit të shpallur si shkencëtar i vitit çmimin e fitoi Dr. Arlind Farizi nga Tetova. U bë edhe dekorimi i disa personaliteteve dhe subjekteve për kontribut dhe arritje të veçant. Post mortum u dekorua hoxhë Rexhep Voka, ndërkaq të dekoruarit tjerë ishin: mësuese Ajshe Dalipi, myftiu i Shkodrës hoxhë Muhamed Sytari, OJQ “Horizonti” nga Mali i Zi, dhe K.F “Shkëndija” nga Tetova. Në emër të dekoruarve të pranishmit i përshëndeti hoxhë Muhamed Sytari i cili tha: “Falënderoj organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë tubim të mrekullueshëm dhe për këtë vlerësim për secilin prej nesh që është një dëshmi e madhe e respektit të organizatorit për vlerat në krejt trojet tona shqiptare.”
Si çdo vit edhe kësaj radhe ky manifestim ishte i pasur edhe me disa pika artistike. Recitalin “Rrugë të mbarë” të shkruar nga Fatmir Muja dhe poezinë “Din e dije” e shkruar nga hoxhë Rexhep Voka, para numrit të madh të pranishmëve, i interpretoi aktori Adrian Aziri. Dhe mysafir i kësaj mbrëmjeje ishte kënduesi i mirënjohur i ilahive, Mesut Kurtish i cili këndoi dy ilahi nga albumi i tij i fundit. Në fund me dekoratë të veçantë u dekorua studenti nga Shkupi Emir Fetai i cili ka përfunduar studimet në Stamboll dhe është shpallur studenti më i mirë në mesin e 1200 studentëve të atjeshëm./FRI/