Myslimanët e Shkupit ftuan familjet e të lënduarve nga tragjedia e Koçanit, të cilët ndodhen në Shkup, t’u bashkohen për një darkë iftari në parkun e Çairit, transmeton Portalb.mk.
“I ftojmë edhe familjarët e të gjithë personave që ishin prekur nga tragjedia që ndodhi në Koçan që të na bashkëngjiten në sofrën e iftarit në parkun e Çairit, nëse ata ndodhen nëpër spitalet e Shkupit”, ka shkruar Nusret Kurtishi në profilin e tij në Facebook.
Ky gjest është përshëndetur nga pothuajse të gjithë komentuesit poshtë postimit.
“Gjest për tu përshëndetur, kështu duhet ndërtuar bashkëjetesa reciproke, secili mbart një shpirt në vetvete”, shkruan një komentues.
Kujtojmë se sot, familjarë, miq e bashkëqytetarë dhe më gjerë, iu dhanë lamtumirën e fundit të vdekurve nga zjarri në Koçan. Varrime të viktimave që humbën jetën nga zjarri në diskotekën “Puls” pati në Koçan, Shtip, Probishtip, Shkup dhe Obleshevë.
LEXO: Familjarë, miq e bashkëqytetarë iu dhanë lamtumirën e fundit të vdekurve nga zjarri në Koçan
Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.