Qytetarët nuk do të paguajnë fatura më të shtrenjta të energjisë elektrike nga 1 janari. Kjo vlen për amvisëritë, për familjet dhe konsumatorët e vegjël që bëjnë pjesë në bllokun e parë dhe të dytë. Kështu njoftoi ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili shtoi se tatimi i ri do të përfshijë vetëm qytetarët që kanë 2-3 shtëpi, 2-3 banesa dhe kompanitë, gjegjësisht konsumatorët e mëdhenj.
“Kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, që kanë harxhim mesatar, në bllokun e parë dhe të dytë, ata do të paguajnë më pak në pjesën e energjisë elektrike edhe në faturën e përgjithshme që do ta marrin, duke e marrë parasysh edhe çmimin e rrjetit shpërndarës. Ata qytetarë që kanë 2 banesa, 3 vikend shtëpiza ose ngjashëm, ata do të kenë tarifë fikse gjatë gjithë vitit, duke marrë parasysh se nëse njëherë e përdorin atë hapësirë, ata kur shkojnë në atë banesë apo vikend shtëpizë, ata kanë energji elektrike për të cilën paguajnë qytetarët tjerë për momentin, sipas metodologjisë ekzistuese”, tha Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.
Sa i përket kërkesës së kompanive energjetike, Bekteshi thotë se mund të kërkojnë edhe 500% të shpenzimeve që raportojnë, por Komisioni Rregullator i Energjisë do të ketë vendim se sa nga ato shpenzime do të pranohen.
“Unë kam thënë edhe më herët, ky do të jetë vendimi i Komisionit rregullator se sa nga ato shpenzime do t’i pranojë. 27% nuk është ndonjë kërkesë e madhe nëse krahasojmë me vitet e kaluara nga ana e MEPSO-së dhe EVN-së ato nuk do të pranohen me shumë gjasa. Për këtë po them se çmimi për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël nuk do të rritet nga 1 janari, përkundrazi do të kenë ulje me tarifën e lirë”, pohoi Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.
Deri në fund të vitit, Komisioni Rregullator duhet të shpallë çmimin e ri të energjisë elektrike. Sipas informacioneve që u dhanë dy ditë më parë, kompanitë energjetike kërkojnë që nga Viti i Ri energjia elektrike të paguhet 27% më shtrenjtë